Albanian Study Abroad Initiative (ASAI)

“Albanian Study Abroad Initiative (ASAI) është një nismë e disa studentëve dhe ish-studentëve shqiptarë për të këshilluar gjimnazistë që mendojnë të vazhdojnë studimet e larta jashtë Shqipërisë. Duke u udhëzuar nga studentë aktualë ose ish-studentë të një universiteti të huaj, gjimnazistët do të mund të marrin informacion të detajuar mbi procedurat e aplikimit dhe mundësitë e përfitimit të bursave.”

Ky është përshkrimi i faqes “Albanian Study Abroad Initiative – ASAI” në “Facebook”, të cilën ma rekomanduan miqtë e mi, ish-studentë të shkollës sonë, Aleksandër Bello dhe Aulon Kuqi. Për të pasur një ide më të qartë rreth “ASAI”-t dhe se cilët janë ata pas kësaj nisme, kam intervistuar një prej themeluesve, Aulon Kuqin.

12343014_10206884934234667_174499848_o

Aulon Kuqi

Aulon, ju lutem, një prezantim dhe për rrugëtimin tuaj të deritanishëm.

U maturova në degën “Elektronikë”, klasa e 2014. Semestri i vjeshtës së vitit të fundit ishte më i ngarkuari, pasi duhet të punoja paralelisht me shkollën, SAT-et, TOEFL-in, letrat e rekomandimit, procesin e plotë të aplikimit me pak fjalë. Pikësynimi fillestar ishte ShBA, më pas zvogëlova numrin e universiteteve në ShBA dhe rrita ato në Hollandë, si dhe shtova në listë “Jacobs” (që është në Gjermani). Shkurtimisht, zgjedhja ideale për mua ishte “Jacobs University Bremen”. Momentalisht studioj në vitin e dytë, dega “Computer Science”. Punoj në kampus si dhe jam organizatori kryesor i “jacobsHack!” – një “hackathon” (maratone programimi), e cila po rritet nga viti në vit dhe po vendos themelet si një prej hackathon-ave më të mëdha europiane.

Si ju lindi ideja për ASAI?

Bashkuam forcat, ide të ngjashme për t’i dhënë jetë iniciativës. Personalisht, gjatë procesit të gjatë të aplikimeve, kam biseduar me të gjithë miqtë e mi, shumica ish-Fultzista, që studionin jashtë dhe aty e kuptova se sa mungesë informacioni kisha. Duke e vënë veten në pozitë të shumë gjimnazistëve të tjerë, ishte e qartë se kjo mungesë informacioni pengonte një numër të madh studentësh në arritjen e synimeve të tyre. Gjatë vitit të fundit të Fultzit bisedova shumë me disa studentë shqiptarë në universitete të huaj, të cilët më ndihmuan në procesin e aplikimeve. Unë mendova të ndaj eksperiencën time duke shkruar një dokument të thjeshtë të cilin e shperndava “online”. Duke folur dhe me studentë të tjerë rreth çështjes së edukimit dhe gjimnazeve në Shqipëri, konvergjuam në këtë nismë.

Si mendoni t’i ndihmoni gjimnazistët e sotëm?

Mentorship një-më-një. Secili nga ne do jetë në kontakt me një gjimnazist të interesuar dhe do e shoqërojmë hap pas hapi në këtë proces. Këshillat tona do jenë të bazuara nga eksperienca personale, nga bisedat e shumta me studentët e tjere në pozita te ngjashme si tonat, si dhe nga kerkimi i vazhdueshem në burime të sigurta informacioni lidhur me procesin e lartpërmendur.

Si mund t’ju kontaktoje një gjimnazist i interesuar?

Na kontaktoni nëpërmjet faqes së facebook-ut “Albanian Study Abroad Initiative” ose dërgoni e-mail në studyabroadinitiative@gmail.com

A ka ndonjë kosto monetare ky shërbim?

Absolutisht jo! E gjitha është punë vullnetare me synimin e krijimit të një rrjeti të fortë informacioni. P.sh unë ndaj eksperiencen me disa gjimnazistë, pas disa vitesh ata e ndajnë me disa të tjerë, e keshtu e me rradhë. Duhet theksuar se do na ndihmonte shumë nëse studentet e interesuar kanë filluar kërkimin. Nëse na kontakton pak muaj para diplomimit dhe do të studiosh në ShBA për shembull, nuk mund të të ndihmojmë dot pasi shumë afate do kenë kaluar në atë kohë.

Kur do ishte periudha ideale për t’u regjistruar?

Kjo është një pikë shumë e rëndësishme! Duhet ditur që procesi i aplikimit është i gjatë dhe i lodhshëm, prandaj është mirë të filloni sa më shpejt të jetë e mundur. Hapi i parë është të vendosësh nëse do të studiosh jashtë apo jo. Hapi i dytë është të kesh një ide në cilin shtet do të studiosh dhe sigurisht të fillosh gjuhën. Hapi i tretë është krijimi i një ideje rreth degës dhe universiteteve konkrete. Mendimi im personal është që në vit të parë të shkollës së mesme të keni gati dy hapat e parë. Në fund të vitit të parë dhe në fillim të vitit të dytë, na kontaktoni ne.

Mbaj mend se megjithëse po kryenit vitin e parë të studimeve universitare, ju erdhet në shkollën tonë për të dhënë një prezantim për universitetin në të cilin studioni. A mendoni të bëni po të njëjtën gjë edhe në shkolla të tjera?

Unë jam gjithmonë i gatshem. Fakti që dhashë një prezantim të Jacobs-it në Fultz lidhet me gatishmerinë e Fultzit. Gjithmonë ju bëj një vizitë sa herë që kthehem në Shqipëri dhe në Janar 2015 u ktheva vetëm për 5 ditë, prandaj nuk kisha mundësi të vizitoja shkolla të tjera. Por nëse dikush më fton dhe unë jam në Shqipëri, me shumë kenaqesi do të shkoja.

Si e shikoni tendencën që një pjesë e mirë e elitës së nxënësve shqiptarë duan të studiojne jashtë? A janë të gatshëm ata të kthehen në një të ardhme në Shqiperi dhe t’i japin kontribut vendit të tyre?

Fatkeqsisht kjo është jashtë parashikimeve tona. Ne nuk duam të imponojmë asnjë detyrim ndaj studentëve. Ne besojmë se edukimi është mjeti më i fortë në zhvillimin e një shteti. Kjo ndihmë mbetet thjeshtë ndihmë; nuk presim asgjë në kthim. Sigurisht do të na pëlqente nëse këta studentë do të ishin të gatshëm të ndihmonin Shqipërinë dhe duhet thënë se ka plot mënyra të tilla edhe nëse nuk ndodhemi fizikisht në Shqipëri. Vetë krijimi i një komuniteti të studenteve shqiptarë nëpër botë do të kishte vlerë të madhe për vendin.