Disa këshilla për një strategji efektive në “Fundraising”

Duke qenë pjesëmarrës në shumë organizata jo-fitimprurëse, anëtar bordi në disa prej tyre, duke pasur një mori detyrash dhe përgjegjësish, si përfaqësimi i organizatës në evente të ndryshme dhe organizimi i disa prej tyre, mund t’ju them se një nga detyrat më sfiduese për mua ka qenë ajo e “fundraising”-ut (mbledhjes së fondeve), detyrë që në mënyrë të pashmangshme, herët apo vonë do ju ngarkohet edhe juve nëse vendosni të bëni pjesë në organizata jo-fitimprurëse apo në nisma të ndryshme në shërbim të komunitetit.

Për këtë arsye në këtë artikull kam vendosur të shkruaj disa këshilla të dhëna nga David Atchley, një prej “fundraiser”-ve më të suksesshëm të kohëve tona.

Vendos pikësynimet e tua.
Është e rëndësishme të kuptosh që mbledhja e fondeve kërkon shumë kohë dhe ka nevojë për një strategji të mirëmenduar. Vështirësia qëndron tek numri i madh i organizatave që luftojë për fonde deri në qindarkën e fundit. Si rrjedhojë, paaftësia apo pamundësia për të mbledhur fonde shkakton një problem besimi, si të jashtëm, edhe të brendëshëm, duke kontribuar në krijimin e një imazhi të keq të organizatës, imazh ky që dëmton më së shumti organizatat që kanë disa vite që nga krijimi i tyre. Pra pikësynimet e tua, ashtu si dhe strategjia, duhet të jenë në një plan afatgjatë dhe të mirëmenduar.

Përpuno propozimet e tua.
Idetë dhe propozimet tuaja duhet të kenë impakt deri diku të madh në shoqëri apo në mjedisin ku ato do të zbatohen. Kjo sepse sponsorët tuaj potencial duhet të binden që paratë e tyre do të përdoren për të bërë të mundur ndryshime, sigurisht për mirë, rrënjësore dhe të dukshme. Pra sa më e madhe të jetë sasia e fondeve që ju kërkoni, aq më e madhe duhet të jetë impakti i eventit apo idesë tuaj.

Kuptoni IRR-në tuaj.
Me IRR (Internal Rate of Return) kuptojmë normën e brendshme e kthimit, një mjet financiar për të matur se si paratë e dhuruara po ndihmojnë në qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e organizatës. Kjo metodë është më efektive për sponsorët e mëdhenj, të cilët janë të interseuar të dinë nëse paratë e tyre do të shërbejnë për të krijuar një organizatë vetë-financuese me projekte afatgjata të cilat nuk do të kenë më nevojë për fonde në të ardhmen apo një organizatë me projekte me jetëgjatësi afatshkurtër që do të ketë nevojë për sponsorizime të tjera për të mbijetuar.

Formalizo dhe trajno ekipin tënd.
Një stategji e suksesshme ka nevojë për disa pjestarë, që mbulojnë role të ndryshme.

Këto role janë:

Përfaqësuesit: Individë që janë të pranishëm kudo dhe që shërbejnë si paraprezantim me sponsorët potencial.

Kontaktuesit: Individë që kanë një rrjet të gjerë njohjesh dhe janë të aftë të prezantohen me efikasitet të madh.

Përcaktuesit: Individë që kanë aftësinë të kuptojnë kohën e duhur për të kërkuar fonde.

Mirëmbajtësit: Individë shumë të aftë në komunikim, që ushqejnë dhe ruajnë mardhëniet me sponsorët dhe promovojnë marrëdhënjet ndërmjet e tyre.

Njih audiencën tënde.
Kur dihet që qëllimi i një ekipi “fundraiser”-ash është sigurimi i suportit nga ana e institucioneve të mirënjohura dhe të fuqishme, duhet të jemi të vetëdijshëm që shumica e këtyre sponsorëve financojnë jo më shumë së një projekt ose nismë. Për këtë arsye duhet që suksesi i projektit dhe impakti juaj me ta të jetë sa më i madh. Edhe dhuruesit individual janë një burim mjaft i mirë të ardhurash, prandaj mundohu të organizosh sa më shumë evente sociale për të maksimalizuar numrin e këtyre dhuruesve.

Ji krijues.
Për të marrë mbështetje nga sponsorë të ndryshëm, ekzistojnë mënyra të ndryshme. Për shembull, ju mund t’i kërkoni sponsorit tuaj që t’ju mbështesi me shuma të vogla parash, gjatë një periudhe kohore ose mund të kërkoni nga individë ose kompani mbështetje me të mira materiale që ju nevojiten për organizimin e një eventi të caktuar.

Vështirësitë që hasen gjatë mbledhjes së fondeve janë të shumta, por me ekipin dhe strategjinë e duhur, mundësia e suksesit rritet në mënyrë të ndjeshme duke bërë të mundur të keni një ndikim pozitiv në shoqëri dhe jo vetëm.