Klubi i Fizikës në shkollën Harry Fultz

Fizika është çelësi i së kuptuarës së botës rrotull, brenda dhe asaj përtej nesh. Duke studiuar gjithësinë, që nga galaktikat e stërmëdha e deri te grimcat elementare, është ajo që na shpjegon e qartëson sjelljen e natyrës. Ajo na sfidon imagjinatën tonë me koncepte si relativiteti, teoria e kordave, ajo e fushës etj., e na çon drejt zbulimeve të mëdha, si puna e kompjuterit apo lazerit, të cilat sjellin zhvillimin teknologjik, që po ndryshon jetët tona sot. Me anën e fizikës, janë bërë të mundura kurimi i kancerit apo i kockave, përdorimi sa më efikas i burimeve të energjisë së rinovueshme, si dhe shumë e shumë të tjera.

physics1

Ndër shkencat, është ajo më baza dhe fondamentalja. Çdo shkencë, për mendimin tim, është fizikë, të paktën çdo shkencë që i bindet disi disa ligjeve natyrore, përfshirë këtu ekonominë apo edhe sociologjinë.

Në shkollën tonë, programi i fizikës, të paktën në degët profesionale, është mjaft i shtrirë dhe mbulon gati gjithë fizikën e përgjithshme, që nevojitet për të pasur një ide të vogël të “funksionimit natyror”. Është një bazë e mirë për shkollën e lartë, sidomos për ata që duan të studiojnë inxhinieri apo shkenca natyrore, si dhe për ata që thjesht duan të zhvillojnë arsyetimin e tyre analitik e më pas ta zbatojnë në shkencat e tjera. Duke parë se si në shkollën tonë, dhe jo vetëm, fizika konsiderohet një lëndë e “lodhshme”, e “vështirë”, apo ku di unë, vendosini çfarë epiteti të doni, mendoj se ka nevojë për pak shtysë, dhe dëshirë më tepër, për të kuptuar se sa e bukur është vërtetë fizika dhe se sa e rëndësishme është që ne ta mësojmë atë.

physics-2

Prandaj unë, duke e pasur pasion fizikën, studimin dhe zhvillimin e saj, vendosa të nis rrethin apo klubin e fizikës. Siç fare mirë keni dëgjuar mjaft për klubin e robotikës, tani do të dëgjoni edhe për atë të fizikës. Qëllimi i klubit është të zgjojë interesin e nxënësve të shkollës për të mësuar fizikë dhe për të pasur një sens të kuptuari të botës që i rrethon. Duke mësuar dhe zbatuar fizikë në klubin e fizikës, ne do të mprehim mendjen tonë me aftësi analitike dhe do mundohemi të rrisim aftësinë e zgjidhjes së një problemi, aftësi që duhet ta ketë çdo fizikant. Fizikantët mësohen t’i bëjnë ballë çdo situate dhe prandaj ata janë shumë të kërkuar si të tillë, pse mos të jemi dhe ne?

Zhvillimi i një ushtrimi në rrethin e fizikës

Si fillim, në rrethin e fizikës kemi klasa konsultimi çdo të hënë dhe të mërkurë orën e shtatë (nga ora 13:40 deri në 15:00). Në klasë do jem unë dhe ndoshta një mësues i lëndës. Cilido që ka dëshirën të përmirësojë notën, apo që e ka notën e lartë dhe do ta sfidojë veten duke zgjidhur ushtrime të një vështirësie më të lartë, e ka mundësinë. Mjafton thjesht të vini te kabineti i fizikës në atë orar.

 

Për më tepër, në kuadër të klubit të fizikës, unë, Eldi Ahmetaj, Erin Dobjani, Ines Muka dhe Klevis Lika, të klasës 2-5, jemi duke u munduar të ndërtojmë me duart tona një pajisje laboratorike, më konkretisht një lavjerrës. Jemi duke përdour një akselerometër i cili mat nxitimin e lëvizjes në çdo çast të kohës. Vlerat e nxitimit do të merren si tension analog dhe do të përkthehen në të dhëna dixhitale me anë të pajisjes “Arduino”, e cila programohet me anën e kompjuterit. Duke marrë të dhënat e nxitimit ne mund të ndërtojmë grafikun e nxitimit në lidhje me kohën dhe më pas duke integruar numerikisht, atë të shpejtësisë dhe atë të zhvendosjes. Është një mënyrë shumë e mirë për të studiuar lëkundjet në natyrë. Ndryshe nga lavjerrësat që gjenden në laboratoret e fizikës, të cilët janë shumë standart dhe të kufizojnë në llojet e eksperimenteve të cilat mund të kryhen me to, te ky lavjerrës ne po mundohemi të nxjerrim matje precize të nxitimit linear të sferës së lavjerrësit dhe jo thjeshtë të zhvendosjes këndore. Në këtë mënyrë mund të eksperimentojmë edhe lëkundjen e lavjerrësit si pasojë e më shumë se një goditjeje, duke parë se si ndikohet karakteristika e nxitimit në lidhje me kohën nga një valë e thjeshtë sinusoidale, në një valë, po periodike, por tashmë e përbërë. Ky projekt i nisur është në bashkëpunim me klubin e robotikës. Si puna e tij, mund të bëhen edhe të tjerë. Mundësitë janë, mjafton interesimi te klubi ynë.