7 arsye pse duhet të vizitoni Vienën

Unë e quaj qyteti i tranzitit, dhe besoj se nuk jam e vetmja që për të arritur në destinacionin tim më është dashur të qëndroj disa orë në pritje për avionin e rradhës. Tani dua t’ju bind se kjo nyje kalimi vlen më shumë se tre a katër orët gjatë së cilës vrisni kohën nëpër rrugës e saj, e me pak shpresë t’ju nxis kuriozitetin që udhëtimin e rradhës ta bëni me destinacion Vienën. Shtëpia e shumë artistëve dhe muzikantëve të mirënjohur klasikë (Haydn, Mozart, Strauss etj.) dhe jo vetëm, Viena është një qytet që premton shumë dhe i shpërblen të gjithë.

Sepse është e bukur
Këtu ka diçka për çdo shije. Shëtisni nëpër rrugët e kuruara të saj e do të hasni ndërtesa të çdo stili arkitekturor që njihni duke filluar nga stili gotik, barok e duke arritur tek ai modern. Nëse ky përshkrim ju dha përshtypjen e një bashkësie ndërtimesh të rrëmujshme nuk është aspak kështu. Ndërtesat e rradhitura ndër rrugë të gjëra e të gjelbëruara, qëndrojnë stoike në harmoni të plotë më njëra-tjetrën dhe e shndërrojnë gjithë mjedisin në një kënaqësi për t’u parë. Për ju që jua tërheqin sytë objektet më moderne, ju rekomandoj “Hauptbücherei-n”. Mos u trembni nga emri, është thjesht një bibliotekë. Ngjituni në tarracat e saj ose shikoni përtej mureve të xhamta për ta pasur Vienën në pëllëmbë të dorës. Me kënaqësi do të përmendja shumë të tjera, por i druhem gabimeve ortografike.

E famshmja “Sacher Torte”
Nesë arkitektura e këtij qyteti nuk ju bën shumë përshtypje, ekziston diçka që u lë mbresa të gjithëve, ushqimi, veçanërisht ëmbëlsirat… Më tradicionalja ndër to u gatua për herë të parë më 1832 për Princin Wenzel von Metternich të Vienës. Ama e vemtja gjë që duhet të dini është se po flasim për një ëmbëlsirë me bazë çokollate, reçel kajsie, dhe po, përsëri çokollatë, kësaj rradhe për ta mbuluar gjithë këtë bombë lumturie. Mos e harroni emrin “Sacher Torte”.

Biblioteka Kombëtare
Për të marrosurit pas librave, një vizitë këtu është e detyrueshme. Ndihuni si “Bella” tek e “Bukura dhe Bisha” teksa hapësirat marramendëse dhe moria e librave ju përpijnë. E nëse keni kohë, uluni dhe lexoni diçka. Nuk di ç’të them më, shikoni fotot.

Biblioteka e Vienës

Biblioteka e Vienës

Opera ose muze
Për sa i përket operës, ka plot për të zgjedhur. “Staatsoper”, Opera e Vienës ofron mbi 350 performanca çdo sezon, duke përfshirë këtu shfaqje baleti, opera dhe koncerte të ndryshme. Nëse nuk e keni bezdi qëndrimin në këmbë, nuk ka për t’ju kushtuar shumë, edhe pse do t’ju duhet të mbani goxha rradhë. Megjithatë, është një ndër gjërat që rekomandoj nëse nuk e keni me nxitim dhe keni ca para ekstra për të shpenzuar. Të themi të drejtën, ku ka vend më të mirë për të parë një shfaqje artistike të tillë, sesa në një vend të njohur për muzikantët e tij. Për më tepët ka shumë muze në Vienë. Dukë filluar nga ai i historisë, i artit, i teknologjisë, e deri tek ai i Leopoldit apo i hebrenjve, duke numëruar mbi 100 të tillë në këtë qytet. Pra… “Opera apo Muze?” – “Pse jo të dyja?”

Tregjet e Krishtlindjeve
Tani po afron vera dhe kjo pikë më duket edhe mua paksa e pavend, por për të gjithë ju që dëshironi ta vizitoni gjatë dimrit, hidhini një sy dhe këtyre tregjeve. Ato ofrojnë ushqim, pije dhe gjithë objektet dekoruese për ta mbushur vendin plot drita dhe shkëlqim. Kështu që rrëmbeni një pije dhe diçka për të ngrënë dhe lëreni veten të zhytet në atmosferën festive.

Kopshti zoologjik “Tiergarten Schönbrunner”
Vizita në këtë vend do t’ju ndryshojë mendimin se kopshtet zoologjike janë të mërzitshme. I vendosur në hapësirat e Pallatit Schönbrunn (që është një atraksion më vete, sidomos në një ditë me diell), themeluar në vitin 1752, njihet si më i vjetri në botë dhe mban mbi 700 kafshë. Do t’ju duhet një ditë e tërë për të parë gjithçka, ama është i hapur të 365 ditët e vitit.
E gjendur pranë Stefansdom, një ecje e shkurtër dhe do të gjendeni pranë ndërtesës me shtatë dhoma që dikur ka qënë shtëpia e të madhit Mozart (dhe jo, nuk e kam fjalën për çokollatat). Një tur interesant nëpër shtëpi do t’ju tregojë dhomat ku ai kompozoi veprat e tij më madhore. Dilni më kuriozë sesa hyni teksa dhomat e dekoruara çuditshëm dhe ngarkuar me zbukurime ju nxisin kureshtjen.