Bllokimi i shkrimtarit

Të gjithë problemet e shkrimtarëve janë probleme psikologjike. Bllokimet vijnë si pasojë e frikës se mos gjykohesh. Nëse mendon se bota po të dëgjon, nuk ke për të shkruar asnjë rresht. Prandaj privatësia është kaq e rëndësishme. Duhet të shkruash gjithnjë sikur nuk ka për ta lexuar njeri.”
Erica Jong

writers-block

Na ka ndodhur të gjithëve që për një periudhë të caktuar kohe të na duket sikur nuk jemi në gjendje të shkruajmë ose të hedhim qoftë dhe një fjalë në letër. Kjo është shpeshherë ajo çfarë quhet “bllokimi i shkrimtarit”. Shumë shkrimtarë pëlqejnë që ta përkufizojnë si një periudhë kur miqtë e tyre imagjinarë nuk i flasin. Por çfarë është në të vërtetë ky bllokim? Nga se shkaktohet? Dhe ç’është më e rendësishmja, çfarë bëjmë për të mos e patur më?

Bllokimi i shkrimtarit është një gjendje, në të cilën shkrimtari humbet aftësinë për të shkruar, menduar diçka origjinale, ose edhe shprehur atë çfarë do. Ky bllokim mund të zgjasë për një periudhë të shkurtër kohe, por ka dhe raste kur zgjat edhe me vite të tëra.

Ky bllokim ka shkaktarë të ndryshëm. Një shkak mund të jetë dhe vetë shkrimtari. Ai mund të ketë probleme me frymëzimin ose mund të jetë shumë i shpërqëndruar nga ngjarje të tjera. Arsye të tjera të këtij bllokimi mund të vijnë dhe prej rrethanave të jetës së autorit. Të tilla mund të jenë: problemet mendore, depresioni, përfundimi i një marrëdhënieje, presioni, ndjesia e dështimit etj.

Për çdokënd që e ka provuar, bllokimi i shkrimtarit është fare i pakëndshëm. Por si mund ta “heqim qafe”?

  • Hapi i parë që duhet të marrim është të analizojmë vetveten. Duhet ta kërkojmë brenda nesh arsyen se pse po e përjetojmë këtë bllokim. Pasi të kemi nxjerrë “pse?-të” nga vetja jonë, është koha të marrim disa hapa praktikë…
  • Duhet të shkruajmë – çfarëdolloj gjëje! Edhe nëse është një listë e thjeshtë gjërash për t’u bërë, është e rëndësishme që të mos pushojmë së shkruari, pasi nëse e bëjmë, beteja do të jetë më e vështirë.
  • Mund të kthehemi në “antikitet” – në ditët e sotme moderne përdorimi i letrës është bërë fare i parëndësishëm. Por nga një studim i kohëve të fundit është vërtetuar se përdorimi i letrës dhe stilografit është një stimul për trurin për të shkruar më shumë.
  • o-WRITERS-BLOCKDuhet të sjellim veten në humor – kuptohet që nivelin e frymëzimit e kemi të dobët përderisa ndodhemi në këtë gjendje. Kështu pra, është mirë t’i kushtojmë pak vëmendje vetes sonë duke bërë çfarë na pëlqen dhe frymëzon. Nëse ju bën të ndiheni mirë, vizitoni kancelarinë tuaj të preferuar dhe shpërbleni veten me një bllok ose disa stilolapsa të rinj, ndoshta rinovimi i “mjeteve të punës” ju jep një frymë të re.
  • Shkruani në një ambient që ju pelqen dhe frymëzon – nëse tavolina në dhomën tuaj ju është bërë një vend ku nuk doni të qëndroni më, transferoni “studion” tuaj në një vend tjetër, qoftë dhe për disa orë. Mund të kaloni pak kohë vetëm. Merrni bllokun tuaj dhe një stilolaps dhe shkoni diku ku ju pëlqen. Thjesht uluni dhe shkruani. Provoni ambiente të reja, ku nuk jeni ulur të shkruani më parë. Siç edhe u permend më parë, kjo mund t’ju sjellë një frymë të re.
  • Provoni të shkruani diçka që nuk keni shkruar më parë – ndoshta truri juaj është mërzitur me po të njëjtat lloje shkrimesh, provoni të bëni diçka ndryshe. Mund të anëtarësoheni në ndonjë blog “online”. Mund të provoni të shkruani një histori të shkurtër, nëse romanet nuk po ju tërheqin më. Mund të shkruani për një gazetë (Laboremus do të ishte një ide e mirë). Mund të shihni nëse tekstet e këngëve apo poezitë janë diçka e juaja, etj.

het-schrijven-van-een-motivatiebrief-tips-tricks

Mund të bëni çfarëdolloj gjëje, por jo të ndaloni së shkruari! Shkruani, edhe nëse ju duket budallëlliku më i madh. Shkruani, edhe nëse as ju vetë nuk e kuptoni se çfarë keni shkruar. Shkruani, edhe nëse gjithcka çfarë keni bërë është një lëmsh fjalësh. Duke shkruar, ashtu kot, diçka e mirë patjetër do të dalë në dritë.

Dhe mos harroni, edhe nëse jeni duke përjetuar këtë bllokim, kjo gjendje është thjesht e përkohëshme. Një ditë frymëzimi do t’ju kthehet përsëri, por mos rrini duarkryq, kërkojeni…