5 pyejte për të gjetur pasionin/karrierën tënde

Duke e ditur se shumë gjimnazistë e kanë të vështirë të vendosin për karrierën e tyre, duke mos ditur tamam se ç’duan të bëjnë në jetë e duke marrë vendime kuturu  (presioni i kohës bën të vetën), mendova se ky procës i shkurtër vetëzbulimi mund të ndihmonte. E di që është ndoshta pak vonë për këtë artikull. Fundi i vitit është tek dera dhe me siguri e ke bërë tashmë zgjedhjen e karrierës tënde. Gjithsesi shpresoj që pas këij artikulli të kesh një ide më të qartë, se çfarë do të bësh në jetë ose të zbulosh diçka tërësisht të re.

Merre seriozisht, merr laps e letër dhe konsideroje këtë si një pyetësor. Mos e lër të jetë një artikull tjetër me këshilla, që e harron sapo ndërron faqen.

Çfarë doje të bëheshe kur ishe i/e vogël?

Cila ishte puna jote e parë e ëndrrave me aq sa mban mend? Kur jemi të vegjël, ndjekim instiktivisht dëshirat tona dhe i kushtojmë më shumë rëndësi tërheqjes së brendshme, pa e kuptuar tamam sesi. Rrethanat, paga, kushtet e punës, mundësitë e punësimit…Të gjitha këto nuk kanë asnjë rëndësi për mendjen e një fëmije, ndaj dhe dëshirat në këtë moshë janë më të vërteta. Nuk po them të mos konsiderosh variablat e sipërpërmendura kur vendos për karrierën tënde, por mund ta bësh këtë pasi e ke gjetur pasionin tënd. Më vonë mund të  vendosësh nëse do ta ndjekësh me kohë të plotë, ose thjesht si hobby, nëse do të thellohesh në studimin e kësaj fushe apo do ta eksplorosh i pavarur thjesht për kënaqësi personale.

Kur të duket sikur koha fluturon?

Cila është ajo gjë që e bën me aq qejf, sa nuk e kupton sesi kalon koha? OK, përveç eksplorimit  disa orësh në Pinterest, për mua janë orët e kërcimit latin. Nuk po them që e shoh veten si kërcimtare profesioniste në të ardhmen, por me siguri është diçka nga e cila s’dua të heq dorë asnjëherë.

Cila është ajo gjë, që s’do ta bëje (prap) asnjëherë, sado para të të paguanin?

E kemi shumë më të lehtë të themi se çfarë nuk duam, sesa atë që duam. Ndaj fillo që këtu për të gjetur pasionin tënd. Mos më keqkuptoni, nuk po flas për situata ku nuk ndihesh rehat, sepse sfida është shumë e madhe. Psh. personalisht nuk e kam të lehtë të flas para një audience të madhe. Por kjo s’do të thotë se do të shmang çdo profesion, ku përfshihet mbajtja e fjalimeve në publik. Ky është një problem me të cilin mund të punoj, është një aspekt imi ku mund të përmirësohem dhe për të cilin do të isha krenare nëse do ta zotëroja. Diçka që s’do ta bëja kurrë psh. është të kaloja kohën kot, pa bërë asgjë prapa një tavoline. E provova kur punoja në verë në recepsionin e një hoteli dhe e urreja, sepse ndihesha e padobishme. Mund të bëja gjithçka, deri tëk ndërrimi i llampave apo të ndihmoja në kuzhinë, vetëm kohën e mërzitshme pa punë në zyrë nuk e duroja dot.

Përmend tre njerëz, që bëjnë atë që do të doje të bëje ti!

Mund të jenë të famshëm ose jo, mund t’i njohësh nga afër ose thjesht t’i kesh vëzhguar herë pas here. Ndoshta nuk i njeh akoma e nëse është kështu, bëj një kërkim të vogël në internet ose përreth. Gjeji këta tre persona, shkruaji emrat në një fletë dhe imagjino veten në vendin e atyre. Është teknika më e mirë: vizualizimi. Gjithashtu mund të kuptosh më mirë sesi do të dukeshe përditshmëria jotë në atë profesion, cilat do të ishin vështriësitë dhe kënaqësitë.

Cili është mesazhi yt për botën?

Kjo mund të duket pak si një pyetje për Miss Universin dhe nuk ka problem nëse tani nuk e di përgjigjen. Ndoshta mund të duash të thuash shumë gjëra, ndoshta ke frikë se mos tingëllojnë qesharake. Fillo me më të thjeshtën, gjënë më të rëndësishme sipas teje, imagjino botën perfekte dhe jepu njerëzve këshillën e duhur si mund ta krijojnë. Nëse arrin ta bësh këtë, ke arritur të gjesh vendin tënd në botë.

*Bonus* Mos harro se asgjë nuk është e pandreqshme, e pa kthyeshme. Jeta është mjaft e gjatë për të nxënë zgjidhje të gabuara dhe të shumëfishta. Jeta jote profesionale s’ka pse të fillojë dhe të mbarojë në të njëjtën fushë, ndaj mos ki frikë se duhet të sakrifikosh patjetër një ambicie për të arritur tjetrën. Thjesht vendos disa përparësi dhe mos i harro asnjëherë ëndrrat e tua, edhe pse për shumë vite mund t’i lësh “stand by”. Ji besnik dhe krijo një vizion të qartë të personit që do të doje të ishe dhe arritjeve që synon. Pjesa tjetër është vetëm zbatimi i një plani të shumëdashur.