Arti i të biseduarit

Pranvera sjell bashkë me ditët e zgjatura dhe një pafundësi mundësish për t’i shfrytëzuar ato: piknik, shëtitje, kamping në natyrë ose darka të gjata me miqtë. Dhe “falë Zotit” mediat kanë këshillat e duhura për t’i bërë këto evente të përkryera. Javët e fundit jam ndeshur me dhjetëra artikuj të tipit: Si të pjekësh pulën në zgarë, Si të bësh sallatën me vezë më të mirë, Sanduiçi i përkryer për një piknik etj. Kjo më bëri të pyes veten: Pse gjithçka duket se rrotullohet rreth ushqimit? Suksesi i këtyre darkave dhe festave jam e sigurt se varet nga diçka tjetër më e rëndësishme dhe shumë më argëtuese, se ç’ka serviret në pjata: bisedat. Fundja a nuk janë ato arsyeja pse dalim dhe shoqërohemi? E megjithatë duket se askush nuk ka një recetë për bisedën e përkryer.

Është e habitshme se sa të vështirë e kemi të zhvillojmë një bisedë të bukur dhe cilësore, kryesisht sepse zotërohemi nga mendimi, se të dish të flasësh bukur, është diçka me të cilën lind dhe jo një art, që mësohet me trajnimin dhe përgatitjet e duhura. E ndërkohë vazhdojmë të shpresojmë se gjithçka do të shkojë mirë, përsa kohë rrethanat janë të favorshme, pula është gatuar mirë dhe salca është kripur sa duhet. Fatin e bisedave tona ia lëmë në dorë rastësisë dhe spontanitetit, të cilat vetëm rrallëherë arrijnë të prodhojnë tema interesante, të cilat nuk rrotullohen rreth motit, punës apo thashethemeve të show-bizz-it. Dhe me keqardhje vë re, se për rrjedhojë shumica e bisedave tona janë (është pak të thuash) bajate.

Por mbetet mister, sesi herë pas here, një herë në hënë,  bisedat bëhen tërheqëse dhe argëtuese, madje më të vlefshme se të lexosh një libër apo një revistë.

“Të gjendesh në një bisedë të mirë, është si të hasësh një shesh të bukur natën në një qytet të panjohur dhe të mos dish të kthehesh aty të nesërmen në mëngjes.”

Dhe mund të duash të rindezësh të njëjtën temë diskutimi në një rreth tjetër shoqëror ose në një kohë më të vonë, por të duket e pamundur.

Pyes veten, pse e kemi kaq të vëshitrë të flasim për gjëra që vlejnë? Mendoj se ndrojtja luan një rol të madh. Kemi frikë të hapemi me të tjerët, sepse mbivlerësojmë (me dashje) ndryshimin mes vetes dhe atyre. Mendojmë se të tjerët nuk ndajnë të njëjtat frikëra ose interesa, prandaj tregojmë vetëm anët tona më të forta, duke u kthyer në subjekte të mërzitshme bisedash. Sepse zakonisht janë pikërisht dobësitë tona dhe atributet e gjithanshme të vdekshmërisë sonë, që zgjojnë ndjeshmërinë  dhe interesin tek të tjerët. Eshtë praktikisht e pamundur të përfundosh në një bisedë të mërzitshme, kur dikush të thotë se nga se ka frikë apo kë dëshiron.

Ndrojtja nëpër festa dhe takime është një dukuri e çuditshme, sa modeste dhe aq egocentrike. Modeste, sepse lind nga nënvlerësimi i aftësive dhe vlerave personale dhe egocentrike sepse veçon veten nga të tjerët, duke menduar se je tepër ndryshe. Duke pasur frikë se mos fjalët tona tingëllojnë çuditshëm, pranojmë të mërzitshmen, duke i dënuar kështu takimet tona me sterilitet intelektual.

Shpresoj të mos jem e vetmja, për të cilën një bisedë e mirë “një herë në hënë” nuk mjafton. Po ç’mund të bëjmë për të përmirësuar gjendjen e bashkëbisedimeve tona?  Si mund të çlirohemi nga monotonia dhe shkëmbimet bajate të fjalëve pa vlerë?

tumblr_nurzmjzEbl1ubfgh6o1_500

Aristokratët e salloneve të shumëpërfolura franceze të shek. XVIII ringjallën traditën antike greke të darkave me tematikë bisede. Të lodhur nga bisedat përsëritëse, mbi kush gjuajti çfarë në cilin pyll dhe kush qëndisi çfarë për cilin rast, organizatorët e festave të Versajës vendosën disa rregulla. Cdo i ftuar duhet të vinte me një listë të shkurtër temash për të cilat do të donte të fliste dhe gjatë darkës do të mblidhte mendimet e të ftuarve të tjerë, me të njëjtin rigorozitet dhe përkushtim, si një nxënës që këshillohet në bibliotekë. Vetëm se në këtë rast, librat do të kishin zë dhe një eksperiencë njerëzorë që mbështeste mendimet e tyre.Temat e salloneve të Versajës ishin nga më të çuditshmet, si psh.: Cili duhet të jetë roli i fëmijëve kundrejt prindërve të tyre? A na bën shteti njerëz më të mirë, apo thjesht më të bindur? Cila është mënyra më e urtë për t’u përballur me vdekjen?

Të tilla tema mund të duken paska të vjetëruara në ditët e sotme, madje vetë metoda e planifikimit të bisedës mund t’ju duket e dalë mode dhe qesharake. Por duhet të pranojmë se artificialiteti i tyre të ndihmon të arrish në pjesët më të fshehura të vetes tënde. Disa rregulla dhe kufizime janë të nevojshme për të nxjerrë në pah idetë më origjinale dhe për të ndezur diskutimet më të frytshme. Me pak fjalë, një planifikim i vogël është i nevojshëm për të pasur biseda të mira.

Nëse një teknikë e tillë do të funksiononte në takimet shoqërore të shek. XXI, është provuar nga një profesor në Oxfrod dhe përgjigja qe PO. Në sallën e ngrënies së universitetit, gjatë orarit të drekës, bashkë me menunë e vaktit servirej dhe një e dytë: ajo e tematikave të bisedës. Njerëz të panjohur diskutonin mes tyre pyejte, si: “Cila prej ambicieve të mia ka më pak mundësi të realizohet?” ose “A e mbivlerësojmë seksin?” Në fund të eventit të gjithë largoheshin me diçka më shumë se një stomak plot: një tufë të tërë mendimesh për t’i bluar gjatë ditës e për t’ia shtuar bibliotekës së tij intelektuale ose morale.

Këto tema diskutimi mund të duken të çuditshme, madje dhe shokuese. Është e pamendueshme t’ia bësh këto pyetje një të panjohuri, sepse kemi frikë se mos e ofendojmë. Prandaj qëndrojmë në zonën e sigurt të temave tashmë të sfilitura nga mediat, duke harruar se shumica prej nesh po kërkojnë pikërisht sinqeritetin e ideve të guximshme dhe freskuese që vetëm një i huaj mund të ofrojë.

Duhet të jemi më të guximshëm në bisedat tona, të hidhemi të parët me një pyetje që na mundon e të presim reagimin spontan të të tjerëve. Në fakt janë pikërisht njerëzit e guximshëm dhe të sinqertë që i bëjnë darkat tona interesante. Ata, të cilët shprehin mendimet dhe ndjenjat më personale, por me një qashtërsi logjike dhe rregull psikologjik që të godet sapo e dëgjon. Dhe ty të mbetet vetëm të picërrosh sytë e të tundësh kokën, për të pranuar dhuratën më të çmuar: një ide të re.

Është bukur të zbulosh në të tilla rrethana, se të tjerët mund të rrëmojnë brenda teje e të gjejnë të vërteta që ti vetë nuk i ke zbuluar dot në 20 vite jetë. Papritur ndjeheni is dy të dashuruar në takimin e tyre të parë, që sapo kanë zbuluar një udhë të artë të përbashkët bisede dhe kanë harruar se pjatat para tyre po ftohen. Pas 10 minutash ndjehesh 10 vjet më i rritur ose më i ri dhe me mendje ke udhëtuar në skajin më të largët të botës, je kthyer e je zhytur në  vetvete.

Ideja e një bisede të tillë të tundon, apo jo? Një takim për t’u mbajtur mend, jo për vendin, motin apo çfarë u shërbye në tavolinë, por për atë çka ti more me vete në shtëpi. Për të arritur të tillë cilësi bisede kemi nevojë pikërisht për rregullat dhe kufizimet e salloneve franceze. S’duhet të jemi skeptikë dhe të nënqeshim me artificialitetin e tyre, por t’i mirëspresim për atë çka mund të na ofrojnë: rrugën për të arritur në pjesët me spontane, origjinale dhe të parrahura të vetes sonë.

-Alain de Botton, A point of View