Faleminderit “Laboremus”

Përshëndetje lexues të “Laboremus”.
Nëntori erdhi më shpejt nga çfarë priste secili nga ne në redaksi dhe si rrjedhojë mendoj se lindi nevoja e një shkrimi falenderues. Në këtë shkrim dua të tregohem shumë i sinqertë, kjo besoj është një nga vlerat që ka shoqëruar Laboremus-in në këto muaj dhe do vazhdojë ta shoqërojë, me shumë shpresë, edhe në muajt dhe vitet në vazhdim.
Duke kthyer kokën pas 92 vite më parë, më datë 28 nëntor 1924, botohet numri i parë i Laboremus-it. Kjo gazetë do të bëhej një udhëzuese e gjallë e paçmueshme për çështjet e shkollës dhe forumi që do përcillte zërin e nxënësve. Nën titullin latin, që do të thotë “Le të punojmë”, nisi një rrugëtim, një traditë që e ngriti Laboremusin dhe e mbajti gjallë zërin e kësaj gazetë.
“Ëndrra e nxënësve të vitit të tretë e të katërt për të pasur mjetin e tyre shprehës u bë realitet”, lexohej në kryeartikullin e Nr.1, kur gazeta “Laboremus” doli e botuar në shtatëqind kopje, me synimin e qartë që të lexohej dhe jashtë shkolle. Por ajo do të ishte kryesisht dhe përherë gazeta e përmuajshme e nxënësve të Shkollës Teknike (sot: Instituti “Harry T. Fultz”). Ndërkohë “Laboremus” ishte zëri i shkollës, pasqyra më besnike e jetës dhe veprimtarisë së atij institucioni në veprimtaritë mësimore dhe jashtëmësimore. Përvetësimi i anglishtes të një niveli të avancuar, veçanërisht prej nxënësve të viteve të fundit, ishte një tjetër nga vlerat që përcillte “Laboremus”.
“Le të mos kërkojmë më shumë se sa jemi të zotë të mbajmë përgjegjësi”, me këto fjalë hapej numri i janarit 1927. Ajo që kërkojmë sot në “Laboremus” i ngjason asaj që kjo gazetë ka edukuar që në fillimet e saja, edukimin e nxënësve duke i dhënë mundësinë të shprehin mendimin e tyre, duke i hapur një dritare të re në jetën e tyre shkollore.
I botuar pjesërisht edhe në anglisht, “Laboremus” shkëmbehej me 72 simotra në SHBA dhe shkonte e pajtuar edhe në 12 shtete të tjera të botës. Kjo shpërndarje dhe kjo njohje kaq e madhe i fali gazetës shumë lexues, të cilët arritën të gjejnë vlera të larta në faqet e saj. Prandaj dhe arriti të vlerësohej me plot 3 çmime të rëndësishme në SHBA.
Fillimi i këtij viti shkollor për “Laboremus” ka qënë i ngarkuar, për arsye sepse qëllimi për këtë vit, ishte që gazeta të ishte përsëri e përmuajshme. Dhe ja ku jemi sot, 3 muaj kaluan shumë shpejt. Si kryeredaktor i “Laboremus” ndihem krenar që

Aldi Shehu, Kryeredaktor “Laboremus” 2016-2017
më është dhënë mundësia të kem këtë përgjegjësi. Jo pa qëllim e nisa këtë falenderim me pak histori. Kam dëshirë që secili të njihet me historinë e bukur që mbart kjo gazetë, traditën e mrekullueshme që na ndjek që prej 28 nëntorit 1924, ku nxënës që donin punën dhe shkollën, krijuan atë që ne mundohemi dhe punojmë për ta ngritur akoma më lart, gazetën “Laboremus”.
Shfrytëzoj rastin, për të falenderuar stafin që ka pasur “Laboremus” në vitin 2015-2016, të cilët kanë bërë një punë te përkushtuar dhe dinjitoze me gazetën. Digjitalizimi i “Laboremus” me anë të hapjes së një website, e ka sjellë gazetën edhe në mënyrë elektronike më të përditësuar dhe të thjeshtë për t’u aksesuar nga nxënësit e Fultz-it dhe lexuesit e “Laboremus”. Gjithashtu dhe përmirësime në gazetën fizike, duke e sjellë me një dizajn të ri dhe të përmirësuar. Duke punuar fort dhe të përkushtuar, ata lanë një shëmbull për t’u ndjekur. Edhe njëherë shumë faleminderit!
Dua të falenderoj të gjithë stafin që ka punuar për “Laboremus” këto 3 muaj të vështirë. Orare të zgjatura, redaktim artikujsh, dizenjim sa më ekzakt i faqeve të gazetës, postera për të lehtësuar marrëdhënien nxënës -“Laboremus”, postime në rrjete sociale. Të gjitha këto që përmenda janë falë punës së palodhur të stafit. Njerëz të mrekullueshëm dhe nxënës e nxënëse të shkëlqyer, që kanë dhënë shumë për “Laboremus” në kaq pak kohë dhe që kanë lehtësuar punën për njëri-tjetrin. Çdo mbledhje ka qenë një moment për t’u mbajtur mend ku ndërveprimi me njëri tjetrin është gjithmonë i sjellshëm, i frytshëm dhe në të mirë të punës, gjithmonë të gatshmëm për të kontribuar, për të dhëne një mendim e për të dëgjuar. Gjë e rrallë për ambjentin punës në Shqipëri dhe një shëmbull për t’u ndjekur nga secili. Një falenderim i veçantë shkon gjithashtu për nxënësit, shkrimtarë në “Laboremus” që nuk kanë qenë pjesë e stafit,por na kanë dhënë artikuj shume të mirë për fusha të ndryshme dhe kanë pasuruar gazetën akoma më shumë.
Dhe sigurisht, nuk mund të lë pa falenderuar të gjithë nxënësit e Institutit “Harry T. Fultz” të cilët e kërkojnë gazetën, interesohen për të dhe sigurisht më e rëndësishmja, respektojnë punën e gjithësecilit në gazetë duke na falenderuar edhe për një numër tjetër që ne kemi nxjerrë.
Falenderoj gjithashtu, të gjithë ata që e kanë grisur punën tonë, e kanë hedhur të zhubrosur, kanë qeshur dhe janë tallur me të. Faleminderit, sepse prej mosrespektit tuaj ne punojmë akoma më shumë, që t’ju përfshijmë edhe ju, që t’ju bëjmë dhe ju ta doni “Laboremus”.
Falenderoj të gjithë mësuesit e “Harry T. Fultz” dhe veçanërisht mësuesen Dhurata Tahiri, përgjegjëse në bibliotekën e Institutit “Harry T. Fultz”.I janë bërë krah stafit të “Laboremus” ndër vite dhe vazhdojnë ta mbështesin “Laboremus” në çdo hap që hedh, duke u kujdesur për çdo numër të ri që del.
Të fundit në rradhë, por të parët për nga rëndësia, drejtoria e Institutit “Fultz”. Na janë gjendur në çdo moment pranë, na kanë dhënë kurajo dhe ajo që është më e rëndësishmja, gjithmonë kanë mbështetur botimin dhe promovimin e “Laboremus” pa asnjë hezitim. Kanë dëgjuar ankesa dhe na kanë lënë dorë të lirë për të shprehur si gjerat e mira po ashtu edhe gabimet në gazetë. Asnjëherë imponues dhe përherë bashkëpunuesit më të afërt me stafin e gazetës.
“Laboremus” do vazhdojë rrugëtimin që nisën njerëz të mëdhenj, të cilët ne sot i nderojmë për atë që lanë pas. Gazeta gjithmonë e më tepër do përmirësohet, duke mbajtur gjithmonë si parim vetë emrin që ka, “Le të punojmë”. Ftoj të gjithë që të jenë pjesë e “Laboremus” në muajt në vazhdim, si mundësia për të shprehur mendimin tuaj dhe një mënyrë shumë e mirë për t’u promovuar. Kushedi, ndoshta kemi mesnesh shkrimtar te ardhshëm që do prekin majat e suksesit. E besoj këtë fakt!
Për vlerat e saja të padiskutueshme edukuese, si një shkollë e dytë për të gjithë nxënësit e Institutit “Harry T. Fultz”, gazeta është një pjesë e pandarë e jetës shkollore. Ende sot, nxënës të diplomuar në Fultz kërkojnë numrin e rradhës së “Laboremus” dhe kjo gjë natyrisht i gëzon të gjithë ata që punojnë për një “Laboremus” më të mirë. Ne, stafi i “Laboremus” kërkojmë gjithmonë forca të reja për të ecur përpara dhe shpresojmë që misionin tonë, për të ngritur lart emrin dhe figurën e “Laboremus”, ta çojmë bashkë deri në fund.
Faleminderit të gjithëve!

Stafi i “Laboremus” 2016-2017