Klubi i Fizikës përsëri në “Harry Fultz”

‘Njohja e natyrës’, ja se çfarë do të thotë ‘FIZIKË’. Një ndër shkencat natyrore që gjen zbatim në çdo vend për sa kohë kjo tokë e kjo hapësirë gjithësie vazhdon të ekzistojë. Në fakt ndonjëherë duket e çuditshme se si fizika është kaq e aplikueshme dhe e gjithëgjendur, por mjafton të kthehesh tek ky përkthim i thjeshtë i vet fjalës ‘fizikë’ për të kuptuar dhe pranuar madhështinë e thjeshtë të kësaj shkence, që në thelb është të pasurit njohuri, të kuptuarit e natyrës, e asaj që na rrethon në çdo moment.

Fatmirësisht ne në Fultz kemi mundësinë që ta studjojmë këtë shkencë në procesin tonë mësimor në gati gjithë gjerësinë e saj të përgjithshme. Sigurisht ne nuk jemi fizikant, por kemi të drejtë të themi që marrim mjaftueshëm njohuri për të vijuar studimet në këtë fushë e për t’u bërë fizikant në të ardhmen. Dhe kjo jo vetëm fal planit mësimor të shtrirë ndër vite, por tani, që prej një viti, edhe fal Klubit të Fizikës.

Po! Ka kaluar gati një vit që kur në Fultz u themelua Klubi i Fizikës, prej një ish-fultzisti tani, por një nxënësi të dalluar të Fultzit atëhere, Dalin Boriçi. Funksionoi shkëlqyeshëm, me mbledhjet pas mësimit në ditët e caktuara, zgjidhje ushtrimesh të një niveli akoma më të lartë se çfarë ne aktualisht mësojmë, ndihmesa ndaj nxënësve të tjerë që ndoshta nuk ishin në këtë nivel, por ama kishin dëshirë të punonin, projekte të prezantuara dhe gjithashtu përpjekje për të ndërtuar vet një lavjerrës laboratorik në bashkëpunim me klubin e robotikës.

Dhe këtë vit nuk ngelemi prapa!

Tashmë klubi, nën drejtimin e Erin Dobjani e Rei Prezja, përkatësisht nga klasat III-5 dhe III-4, mblidhet çdo të premte në orën e 7 (13:50-14:35) në kabinetin e fizikës. Çfarë ndodh saktësisht? Diskutohen problema që i kemi hasur gjatë mësimeve, problema të olimpiadave të ndryshme të fizikës, zhvillohen eksperimente të ndryshme që të mund të shikojmë përveç pjesës analitike të fizikës edhe pjesën praktike kaq të bukur e interesante të saj, apo edhe vetëm të flasim, për të ndarë diçka që kemi dëgjuar në lidhje me koncepte fizike dhe të diskutojmë, që të arrijmë kështu të kemi një argument logjik të saktë në fizik. Gjithashtu do të organizohen projekte me tema të ndryshme që të mund të prezantojmë një produkt tonin si klub. Më besoni keni për ta harruar sa e vështirë mund t’ju jetë dukur ndonjëherë fizika dhe do kënaqeni duke mësuar.

Dhe sigurisht, gjithësecili prej jush është i mirëpritur të bëhet pjesë në Klubin e Fizikës. Mjafton që të keni dëshirën e mirë për të mësuar më thellë fizikën, por sigurisht edhe përkushtimin në punë për arritur t’i kuptoni dhe praktikoni ato që do mësoni.

Kështu që ju ftoj të njohim bashkë fizikën, dhe përmes saj, natyrën e gjithçka që na rrethon!