Krishtlindje “të bardha”

Këtë vit Krishtlindja erdhi ndryshe tek unë. Jo vetëm që përfitova shumë dhurata shpirtërore, por arrita të kuptoj një mësim të vlefshëm për jetën e të gjithë bashkëmoshatarëve të mi dhe jo vetëm. Një vizitë e thjeshtë miqësore në Azilin e “gjyshërve të pafatë”. Kështu vendosa unë t’i quaj, jo për nga mungesa e mjaftueshme e kushteve të mira, por nga mungesa e asaj ç’ka për ne cilësohet si më thelbësorja dhe e rëndësishme në jetë. Ata, prindër ose jo, gjyshër ose jo, pleq të heshtur por nazeli, sytë e të cilëve u mbushën plot dritë në momentin kur ne (grupi vizitues) hymë në dhomën e tyre të ndenjes. Unë mbaja një kamera në dorë. Doja të filmoja çdo moment kaluar me ta. Disa nuk donin të filmoheshin e i mirëkuptoja. Disa të tjerë më buzëqeshnin ngrohtë, e disa të tjerë (siç ishte zoti Pajo të cilin dua ta përshëndes përzemërsisht) mezi prisnin të kapeshin nga lentet e aparatit tim. Një eksperiencë e veçantë në vigjiljen e Krishtlindjes në azilin “Shtëpia e të moshuarve”. Kjo ishte dhurata më e bukur që mund të kem bërë për ata shpirtra të brengosur nga vetmia, por edhe për veten time. Një ditë e djelë ndryshe nga të tjerat. Moti ishte i ngrohtë dhe dielli zgjaste përgjatë rrugëve të Tiranës rrezet e tij të arta të mëngjesit. Unë dhe grupi (nxënësit e klasës 11.1 në shkollën Ernest Koliqi) u nisëm buzagaz për të përmbushur një dëshirë e cila buronte nga sërë arsyesh. E para dhe kryesorja ishte pikërisht festa që po na priste, Krishtlindja. Në këtë festë të bekuar ne donim që edhe Ata të ndiheshin të tillë. Qëllimi ynë parësor ishte të dhuronim dashuri aty ku mund të mos ishte dhuruar dhe jam krenare të them se ia arritëm plot mjeshtëri. Gëzuam ata, por më shumë shpirtrat tanë. Mbërritëm në godinën e azilit mbushur me dhurata në duar, posaçërisht për Ata. Ajo ç’ka më zuri syri në fillim ishte mikpritja e personelit që kujdesej për ta. U shoqëruam nga psikologia e azilit e cila na ftoi përzemërsisht në ambientet brenda. Pasi i shpërndamë dhuratat dhe dedikimet e secilëve, u ulëm me ta dhe filluam të bisedonim. Biseduam gjatë, ashtu siç bëjmë me miqtë në tavolinë. Biseda të ngrohta, të mbushura me buzëqeshje e ngaherë edhe me lot. Ata na treguan historitë e tyre, për origjinën, për mallin e vendlindjes, e mbi të gjitha për mallin e familjes. Për disa orë të pakta u ndjemë si të ishim heronjtë e tyre. Nuk nguruan as të na ftonin në dhomat e tyre, në të cilat u habitëm se sa të pastër ishin dhe se sa me kujdes i mbanin veshjet e tyre të pakta e të preferuara. Teksa filmoja cdo detaj, vija re në fytyrat e tyre të rrudhura, të cilat dukeshin si të pikturuara me mjeshtëri, një rrezatim të ngrohtë rinor drejt e nga shpirti i tyre. Në ato momente kuptova se pikërisht pleqëria është kurorë e jetës, akti i fundit i dramës sonë. Por ama për të thurur ëndrra, për Ata, për ne, kurdoherë, nuk është kurrë vonë!