Shkenca e gjumit

Gjumi…Zzzzz… Nuk e di për ju, por për mua ndoshta është bërë tashmë i vetmi moment kur i fik të gjitha “llambat e mia” dhe thjesht (përpiqem) të mos e vras mendjen për asnjë gjë dhe të çlodhem e qetë. Është e çuditshme sesi 1/3 e jetës, që e kalojmë duke fjetur (dikush që fle top aq sa vështirë të zgjohet me alarmin e mëngjesit, dikush duke gërhitur, dikush tjetër duke ndërruar krah çdo 5 minuta  dhe që zhurma më e lehtë i nxjerr gjumin, dikush tjetër që nuk fle dot me çorape apo përmbys, dikush që në ëndrra fluturon sapo i mbyll sytë, dikush që ngrihet aty nga ora 3 për të ngrënë një vakt të vogël, që sinqerisht të shijon aq shumë), ne e marrim kaq të mirëqënë ndonjëherë dhe harrojmë që edhe kjo është një shkencë më vete.

Tani le t’ju njoh pak me magjinë e padëgjuar ndonjëherë të të madhërishmit GJUMË.

Para 2000 vjetësh njerëzit mendonin se truri ynë, i ndërtuar prej një mase fluide do “furnizonte me jetë” trupin duke shpërndarë këtë masë fludie, njëlloj si të ishte energji,  gjithandej në gjymtyrët dhe organet tona kur ne ishim zgjuar, dhe kur ishim në gjumë kjo masë fludie do të tërhiqej përsëri në tru, gati-gati si një proces “rikarikimi” për ditën e nesërme.

Tingëllon qesharake për ne tani që kemi, qoftë edhe pak, njohuri shkencore në biologji. Por a mund ta quajmë të pavërtetë edhe konceptin që ata kanë dashur të shprehin (në mënyrën e tyre)? Të gjithë e kemi të provuar që gjumi funksionon si një rifreskim, rizgjim i mëndjes. Mos ndoshta këtë kanë dashur të na tregojnë paraardhësit tanë të largët?

Në fakt zbulimet shkencore çdo ditë e më shumë po na vënë në dukje rëndësinë e gjumit dhe sesi ai mund të jetë një zgjidhje elegante për nevojat funksionale kryesore për trurin tonë, një mënyrë unike që e ndihmon trurin të plotësojë detyrat e tij kolosale. Gjithë shkenca e biologjisë mund të mendohet si një seri problematikash dhe zgjidhjet përkatëse për secilën. Një ndër këto problematika, mjaft e rëndësishme, është edhe furnizmi me lëndë ushqyese dhe oksigjen për secilën qelizë. Dhe sikurisht për trurin kjo është akoma dhe më e rëndësishme dhe vendimtare si njësi qëndrore që harxhon më tepër energji se çdo organ tjetër edhe pse si peshë është vetëm 2% e peshës trupore. Prandaj dhe zgjidhja për këtë është një rrjet i dendur enësh gjaku që furnizojnë trurin duke filluar nga sipërfaqja deri në thellësi, duke e përshkuar në gjithë brendësinë e tij. Por këto qeliza të gjalla që u furnizuan me lëndët e nevojshme ushqyese prodhojnë dhe mbetje. Dhe pikërisht kjo është problematika tjetër, po aq e rëndësishme sa e para.

Këtu gjërat bëhen të çuditshme… Në të gjithë trupin tonë funksionon sistemi limfatik, me rrjetin e tij të dendur paralel të enëve që kanë për detyrë marrjen e këtyre mbetjeve në hapësirat midis qelizave, i grumbullon dhe transporton në gjak që mund t’i çojë aty ku edhe më pas shkatërrohen. Përjashtim bën vetëm TRURI. Aty nuk kemi as edhe një enë të vetme nga ky sistem-grumbullues-mbetjesh. Atëhere cila është zgjidhja e trurit në këtë rast?!

Dhe duhet ta parathem që kjo zgjidhje është gjeniale në fakt. Është pikërisht CSF (Cerbrospinal fluid), e cila mbush hapësirat e lira në kafkë duke rrethuar trurin dhe pikërisht këto mbetje grumbullohen në CSF që më pas i  ”dorëzon” në gjak. Tani tingëllon shumë me sistemin limfatik. Në fakt ky sistem i ri nuk është i shpërndarë kuturu në hapësirat e pambushura nga indi i trurit, por është i organizuar në mënyrë të tillë që mbështjellë enët e gjakut për të pasur sipërfaqe kontakti më të madhe e si rrjedhim është më e lehtë marrja e mbetjeve. Duhet thënë që kjo është një zgjidhje e zgjuar për të mos pasur një sistem të tërë me enë të tjera që do të rriste përmasat e trurit dhe do të ulte efektshmërinë, dhe për më tepër është plotësisht unike vetëm për trurin.

Po gjumi ç’hyn në këtë mes?!

E gjithë kjo metodë pastrimi-mbetjesh ndodh vetëm kur ne jemi në gjumë.

Truri, kur jemi zgjuar, ka një mori aktivitetesh mjaft të rëndësishme për të drejtuar, prandaj dhe e shtyn këtë procesin e ”pastrimit” për më vonë.  Dhe kur ne jemi në gjumë kalon në ”cleaning-mode” me qelizat që tkurren në mënyrë që të lejojnë kalimin sa më të lehtë të CSF dhe largimin e këtyre mbetjeve të akumuluara gjatë ditës. Kjo do të thotë që gjumi është zgjidhja që ka bërë truri për të pastruar veten e vet!

Pra njerëzit e lashtë nuk e kanë pasur dhe aq gabim mesaduket…!

Ndoshta na duhet të përmendim këtu edhe faktin që këto mbetje mund të jenë të rrezikshme nëse akumulohen, për më tepër në një organ si truri. Dhe nga sa thamë më sipër lidhet në mënyrë direkte me rëndësinë e gjumit (në kohëzgjatje dhe cilësi, sigurisht). Përshembull, një nga proteinat që truri jonë prodhon gjatë gjithë kohës është amyloid beta, që mendohet se kur akumulohet në këto hapësirat e lira, rrugë kalimi për CSF, bëhet një ndër shkaqet kryesore për zhvillimin e një sëmundjeje të tmerrshme si Alzheimer. Normalisht, siç e treguam dhe më sipër, largimi i kësaj proteine nga truri ndodh kur jemi në gjumë. Pra këtu mund të bëjmë një lidhje të thjeshtë logjike, por të një rëndësie të veçantë, midis gjumit, amyloid beta dhe sëmundjes Alzheimer.

Nuk mund të themi që mungesa e gjumit apo një gjumë i dobët është shkaku I vetëm i kësaj sëmundje, por as lidhjen nuk mund ta mohojmë.

Por çfarë do të ndodhte tjetër nëse ne nuk do flinim?

Më lejoni t’ju tregojë një eksperiment! Në vitin 1965, një gjimnazist 17 vjeçar Randy Gardner nuk fjeti për 264 orë, që i bie të jenë 11 ditë, për të parë se si do ishte të mos flije. Që ditën e dytë nuk i përqëndronte dot sytë. Më pas humbi aftësinë që të njihte objektet me anë të prekjes. Ditën e tretë ishte me humor të keq dhe nuk kishte aftësi të mira koordinimi. Dhe në fund të eksperimentit nuk ishte në gjëndje të përqëndrohej, kishte probleme me kujtesën afatshkurtër, u bë paranaojak dhe kishte haluçinacione. Pavarësisht se Randy u kthye në gjëndje normale pas eksperimentit, për fat të mirë, persona të tjerë mund të përjetojnë disbalancime hormonale të forta, sëmundje dhe deri në vdekje.

Sipas një studimi 30% e të rriturve dhe 66% e adoleshentëve kanë probleme me gjumin. Mungesa e gjumit lidhet drejtpërdrejt në mënyrë negative me aftësinë tonë për të mësuar, kujtesën, gjëndjen shpirtërore, kohën e reagimit fizik, pezmatime, haluçinacione, tension i lartë gjaku dhe gjithashtu mendohet se ka lidhje me diabetin dhe obesitetin. Të flesh më pak se 6 orë në ditë mendohet se rrit rrezikun për një infarkt 4.5 herë më shumë krahasuar me ata që flenë 7-8 orë. Rast i veçantë është Insomnia, një sëmundje që pengon trurin të bjerë në gjëndje gjumi dhe personat që vuajnë prej saj mund të rrinë pafjetur me javë e muaj të tërë duke i çuar këta persona në humbje kujtese deri dhe në vdekje. Të gjitha këto mund të shpjegohen me pastrimin e mbetjeve gjatë gjumit që treguam më lart. Gjatë ditës prodhohet Adenosine, përbërje kimike përgjegjëse për të na ndjell gjumë. (Në fakt kafeja funksionon duke penguar sinjalet e Adenosine të prekin receptorët nervor.) Kjo do të thotë sa më shumë kohë pa gjumë aq më shumë Adenosine e akumuluar që sjellë gjithë ato probleme që radhitëm më lart.

Por tani që dimë anët negative të të mos fjeturit, le të njihemi me anët pozitive të këtij aktiviteti të përditshëm, por që na doli kaq i jashtëzakonshëm.

Besoj se deri tani kemi arritur të provojmë që gjumi nuk është humbje kohe apo thjesht një kohë që çlodhemi, por është një proces kompleks dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm për mirëqënien e organizmit tonë.

Një ndër benefitet e gjumit është edhe vet kujtesa! Procesi i kalimit nga kujtesa afatshkurtër në atë afatgjatë bëhet me ndihmën e një pjese të trurit të quajtur Hipokampus, dhe normalisht që ndihmesa më e madhe në këtë proces janë lidhjet e reja neurotike mes korteksit dhe hipokampusit. Dhe tani jo më çuditërisht, një nga faktorët që ndikon më shumë në këtë proces është GJUMI ! Vet gjumi është i përbërë nga 4 faza : faza 1dhe 2, Slow Wave Sleep dhe REM (Rapid Eye Movement). Pikërisht gjatë këtyre dy fazave të fundit, ose gjumit më të thellë, vihet re një rritje në komunikimin midis trurit të vogël, talamusit, hipokampusit dhe korteksit që shërbejnë si qëndra stacionare për krijimin e kujtesës dhe në faza të ndryshme të gjumit vihet re krijimi i kujtesave të ndryshme. Gjatë Slow Wave Sleep kujtesa deklerative (që ka të bëjë me anën analitike të gjërave) ruhet si një kujtesë afatgjatë. Nga ana tjetër REM është përgjegjës për kujtesën proceduriale (që ka të bëjë me anën praktike të të bërit të gjërave). Pra praktikisht, të flesh gjumë 3 orë pasi ke mësuar formulat e matematikës për testin e së nesërmes dhe 1 orë pasi ke mësuar pjesën muzikore në piano për një recital do ishte skenari më ideal për t’i mbajtur mend më mirë gjërat që keni mësuar. Pra herës tjetër që do të keni një test apo event të rëndësishëm të nesërmen mos e gdhini duke përsëritur ato që tashmë i keni mësuar, por më mirë flini gjumë dhe lëreni trurin tuaj të bëj punën e vet.

Herës tjetër kur të flini shpresoj të jeni mirënjohës për zgjedhjen fantastike që truri ka bërë, gjumin tonë kaq të dashur. Gjumë të ëmbël!..Zzzzz….