But first, Coffee

“But first, Coffee…”
Shumë prej jush e kanë dëgjuar shpesh këtë shprehje. Është tamam sikur mendon të hedhësh pas hallet e botës që të kanë rënë mbi supe dhe të pish atë dreq filxhan kafeje në fillim e pastaj… shohim e bëjmë. Të paktën kështu jam unë. Ata që më njohin e dinë se po e shkruaj këtë artikull detyrimisht dhe domosdoshmërisht me një filxhan kafeje të nxehtë në dorë. (Si do të ndodhte ndryshe?)
Mendova të shkruaj këtë artikull duke marrë në konsideratë të dyja anët e medaljes, sepse gjithmonë çdo gjë e mirë e ka një të keqe dhe çdo gjë e keqe e ka një të mirë. Nuk kam për qëllim t’ju sugjeroj, këshilloj apo t’ju detyroj të “filloni kafenë”. Aspak. Dua thjesht të ndaj me ju një ndër mrekullitë e shumta të nënës natyrë, të cilën ne e kemi mjeshtëruar përsosmërisht në përgatitje dhe gostitje.

Por… çfarë do të thotë KAFE?
Kafeja është një ndër pijet më të konsumuara në të gjithë botën, e përbërë prej kokrrave të thara (të pjekura) të kafesë, që rrjedhin nga druri i kafesë i cili është i shkurtër në mënyrë që të ruajë sa më mirë energjinë, është bimë e butë dhe mund të rritet jo më shumë se 9 metra (30 këmbë). Bima e kafesë rritet në një cikël të vazhdueshëm, andaj nuk është e pazakontë shfaqja e luleve, frutave jeshil edhe atyre të pjekur në një pemë të vetme. Sigurisht, kjo e bën këtë bimë të mrekullueshme dhe më magjepsëse për t’u parë e më pas për ta korrur vetë me duart e tua.
Këto bimë produktive mund të jetojnë deri në 100 vjet dhe nën kujdesin progresiv mund ta ruajnë prodhimin e tyre me kalimin e viteve.
Askush nuk e di vërtetë se si është zbuluar kjo bimë, megjithatë ka shumë legjenda për origjinën e saj. Legjenda më e njohur vjen nga rrafshnaltat e Etiopisë. Atje legjenda thotë se një bari dhish, i cili quhej Kald, zbuloi i pari këtë bimë shumë të dashur. Sipas historisë thuhet se Kaldi zbuloi kafen pasi vërejti se kokrrat e vogla që dhentë e tij hëngrën i bënë ato më energjike, aq sa nuk donin të flinin natën. Këtë zbulim Kaldi e raporton tek abati i manastirit të tij, i cili nxorri lëngun nga kokrrat dhe vërejti se si ky lëng “magjik” bëri të mundur që ai të qëndronte zgjuar deri natën vonë edhe për lutjet e gjata të mbrëmjes. Duke përhapur këtë zbulim dhe me murgjit e tjerë, kjo “pije energjike” fillon të fitojë famën e shumëmerituar.
E çfarë bën ekzaktësisht kjo pije magjike?
Kërkime e hulumtime të shumta nga shkencëtarë përtej gjithë botës kanë arritur në një përfundim ku mund të lidhin kafen me shumë veti të mira shëndetësore.
Duke mos përmendur pastaj aromën e saj të dëshirueshme e cila na fton të gjithëve të nisim një mëngjes të mbarë e kështu të pasojmë ditën me entuziasëm dhe sportivitet.
Atëherë çfarë të mirash përfitojmë prej kafesë?
1.Do t’ju ngrejë humorin. Sigurisht që po! Dhe kjo shpjegon qartë ndjesinë e mrekullueshme që ndjejmë që në shijimin e parë të filxhanit të kafesë në mëngjes. Sipas një studimi, gratë te cilat pinë dy apo më shumë filxhanë kafeje në ditë kanë 20% më pak mundësi për të vuajtur nga depresioni.
2.Lufton diabetin! Personat që konsumojnë kafe kanë më pak mundësi që të preken nga lloji dy i diabetit, kjo sepse bima e kafesë përmban ingredientë, të cilët e ulin sheqerin në gjak. Ende nuk dihet me saktësi se cila përbërje e jep këtë efekt, megjithatë mendohet se antioksidantët që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme në bimë luajnë një rol të madh në këtë betejë me diabetin.
3.Ruan zemrën tuaj. Së bashku me çajin jeshil, kafeja është një nga pijet e cila mbron zemrën tuaj nga sëmundje të vazhdueshme. Është interesant fakti se kjo vërehet të jetë më e vërtetë në organizmin e një femre sesa të një mashkulli.
4.Ruan mëlçinë tuaj. Dhe jo vetëm kaq, por e mbron atë nga qelizat kancerogjene. (E kujt do t’ia merrte mendja?)
Së fundmi, pini një filxhan kafe, por kujdes!
Çdo gjë e tepërt mund t’ju dëmtojë. Nëse jeni i ndjeshëm ndaj kafeinës kjo mund t’ju sjellë efekte anësore të pakënaqshme si ankth, dhimbje koke apo  të përziera.
Duhet të jeni të kujdesshëm dhe në kafen që konsumoni, nëse jeni aktualisht konsumues të saj. Ka një shumëllojshmëri farash kafeje të cilat kanë shije të ndryshme nga njëra tjetra. Nga “Espresso” e deri tek “Americano”, zgjedhja është juaja. Mos harroni se duhet të jeni të kujdesshëm gjithashtu në atë çka konsumoni e sidomos në sasi. Nëse jeni konsumues të kafesë, mos nguroni të luani me shijet e saj.

“Coffee makes us severe, and grave, and philosophical.”