Cfare eshte nje Gap Year?

A nuk përballen gjithë gjimnazistët e sotëm ane mbanë botës me periudhën stresuese për zgjedhjen dhe hyrjen në degën e tyre universitare? Sigurisht! Shumica e 18 apo 19 vjecarëve, të cilët deri në këtë moment janë cilësuar si akoma ‘të rinj dhe të papjekur’, krejt papritur duhet të bëjnë zgjedhjen e tyre të parë të rëndësishme në jetë. Nuk është e vështirë të kuptohet që në një situatë të tillë, ndjenja e përbashkët që i karakterizon ata është një: pasiguria.
Por para se t’ju paraqes me një mundësi alternative, dua t’ju vendos përpara këtij fakti: Mos kujtoni se do të mund t’i shmangeni ndonjëherë kësaj faze studimesh, sepse fundi i fundit zgjedhja juaj për universitetin duhet bërë një ditë dhe javët e gjata kur pret me padurim fletën e pranimit janë pjesë e sistemit të përzgjedhjes. Gjithsesi, ekziston një mënyrë që ju të mund të bëni zgjedhjen e duhur dhe të keni një vizion më të qartë për planet e të ardhmes suaj. Kjo mënyrë do të jetë jo vetëm efiçente, por dhe argëtuese, sepse do të gjendeni shumë larg provimeve të maturës shtetërore, SAT-it, provimeve të lëndëve përkatëse gjatë vitit (të cilat janë të domosdoshme për nxjerrjen e notës suaj vjetore) si dhe një sër ngarkesash të tjera akademike. Pra shkurt, po ju prezantoj me gap year!
Ndryshe nga plani tradicional i studimeve, ku të rinjtë hidhen menjëherë në universitet pasi mbarojnë shkollën e mesme, mundësia e një viti pushim ose të quajtur ndryshe ‘gap year’ sa vjen e bëhet më popullore. Por si lindi kjo ‘traditë’ dhe për cfarë arsyesh?
Vitet ’60 ishin vitet revolucionare që i kushtoheshin pavarësisë dhe lirisë së fjalës, ashtu si dhe vitet kur ‘gap year’ u bë për herë të parë i njohur. Në 1967, Nicholas Mclean-Bristol krijoi kompaninë Project Trust dhe dërgoi tre vullnetarë në Addis Ababa, Etiopi. Sipas projektit “këta të rinj do të angazhoheshin në ndërtimin e një kombi të zhvilluar, në një moshë mjaft të re. Ata do të mësonin për Etiopinë, do të zhvillonin aftësitë e tyre dhe do të mësonin të jetonin në mënyrë të pavarur në të njëjtën kohë.” Edhe pas gati 50 vjetësh, qëllimi i një ‘gap year’ ngelet po i njëjtë.
Kryesisht ithetarët e parë të kësaj tradite qenë ‘hipitë’ e viteve ’60-’70, të cilët ishin në kërkim të eksperiencave të reja përmes udhëtimeve të gjata nëpër vende ekzotike, kryesisht ato të Azisë. India ka qenë dhe vazhdon të jetë një ndër destinacionet më të preferuara për të rinjtë e botës perëndimore, që duan të njihen me ‘vorbullën’ e vërtetë të kulturave, gjuhëve, popujve dhe besimeve fetare, të gjitha të mbledhura në vendin e ‘guruve’ dhe Mahatma Gandhit. Por sigurisht India nuk është e vetmja. Destinacione anë mbanë globit presin për t’u vizituar nga ata, që dashurojnë udhëtimet dhe aventurat, e sidomos tani që biletat e avionëve sa vijnë e lirohen dhe ëndrra e çdo të riu për të vizituar botën është vetëm një hap larg.
Programet për Gap Year janë kthyer dhjetëvjecarin e fundit në një biznes të fuqishëm që po bën përpara me hapa galopantë. Në qershor të 2005, ekonomia dha shifrën prej 5 miliardë paundësh në vit, të gjeneruara në sektorin e udhetimëve të organizuara për Gap Year. Shifër marramendëse! E të mendosh që kjo është as më pak e as më shumë se 11 vjet më parë!
Një vit pushim për t’i dhënë mundësinë të rinjve të vendosin për karrierën apo studimet e tyre, është shumë shpesh i domosdoshëm dhe madje këshillohet dhe nga shumë universitete apo kolegje anembanë botës. Por kjo nuk do të thotë që është gjithmonë i realizueshëm.
Nëse do t’i përmblidhja shkurt të gjitha avantazhet e një mundësie të tillë, ato do të ishin:
·        një pushim afatgjatë (që ndoshta do të jetë i vetmi i tillë, sepse shumë shpejt karriera do të zërë gjithë kohën tuaj);
·         të qenit i pavarur;
·        qartësimi i planeve për të ardhmen;
·        krijimi i eksperiencave të reja
·        të punosh për pak kohë ose gjatë gjithë kohës për të mbledhur para për shpenzimet e universitetit
·        punë vullnetare për të ndihmuar njerëz ose organizata jo-fitimprurëse, etj.
Ndërsa disavantazhet… A e keni menduar ndonjëherë se një plan për një Gap Year, mund të jetë:
·        mjaft i kushtueshëm (ndonjëherë aq sa dhe një vit kolegji)
·        sakrifikimi i një mundësie të artë universiteti, e cila pas një viti mund të mos jetë më e vlefsheme
·        shkak për t’iu nënshtruar kurseve intensive me qëllim rifreskimin e njohurive, të cilat janë pas dore për plot një vit
·        një kohë e cuar dëm, nëse nuk i bëhet një organizim i mirë
Dhe sigurisht jo vetëm këto. Me mijëra gjëra mund të dalin kundër favorit tënd gjatë atij pushimi të gjatë ‘jashtë ose brenda shtetit’.
Megjithatë duke qenë se unë jam pro aventurës, do të thoja se ndonjëherë për të arritur dicka duhet të humbasësh apo të rrezikosh dicka tjetër. Kështu që nëse e keni ndarë mendjen për t’i thënë ‘mirupafshim’ studimeve për një vit (ndonjëherë më shumë apo më pak se kaq), bëni të mundur që ai të jetë i paharrueshëm! Vetëm kjo do t’ju ndihmojë të mos pendoheni më vonë…