Klubi i Fizikës

 

Tashmë një ndër klubet plotësisht aktiv në Fultz. Dhe këtë e them me bindje të plotë për faktin se ky klub nuk ka ngelur vetëm në mbledhjet e përhershme të premteve orën e 7, por realizohet dhe në një takim të madh. Po ju kthej pak pas në kohë për t’ju treguar se si u prezantua këtë herë klubi i fizikës.
Do e fillojmë krejtësisht me diçka që në pamje të parë të duket se nuk ka lidhje me fizikën, por në fakt është fizika ajo që e shpjegon më së miri.Erin Dobjani e nis takimin me një pjesë të luajtur në piano. Dhe për të vijuar këtë temë ‘tingullore’ prezantohet një projekt për tingullin nga Genti Xhanari dhe Hermes Çati. E veçanta për këtë takim ishte demostrimi praktik me anë të eksperimenteve. I pari kishte të bënte me brezin e frekuencave të dëgjueshme nga veshi i njeriut sipas moshës. Dhe kështu ne ishim plotësisht të aftë për të përcaktuar gjëndjen shëndetësore të veshit tonë në varësi të frekuencave që arrinim të dëgjonim. Nuk është se dolëm shumë mirë, ndotja akustike apo abuzimi me dëgjimin është aq prezent tashmë, por kjo vlen për t’u trajtuar gjatë e gjerë në një kohë tjetër. Eksperimenti i dytë ishte tubi i Rubensit, i njohur ndryshe si oshiloskopi i parë, prezantuar nga Alisa Buna dhe Genti përsëri. Ky tub me gjatësi 1 m e diametër 8 cm me një varg vrimash dhe i furnizuar me gaz ndërkohë që në çarjen e hapur, mbuluar me membranë i ‘japim’ një valë zanore që ngjesh dhe rrallon ajrin në brendësi të tubit duke ndryshuar dhe amplitudën e flakës. Dhe kështu ne mund të shohim në mënyrë pamore valën që tanimë po e dëgjojmë. Dhe me këtë mund të themi realisht që “e dogjëm fare takimin!”. Por nuk mbaron këtu, projekti pasues ishte për laserat dhe pas një shpjegimi teorik se si funskionojnë gjërat nga Rei Prezja dhe Klest Haxhi kalojmë tek pjesa e bukur me eksperimentet që kishin sjellë djemtë. I pari një qark i ndërtuar për të kapur sinjalin dritor nga laseri dhe sinjalizimin me një dritë LED dhe për ta komplikuar pak më shumë arritëm të fusnim në punë dhe pasqyrat me aplikimin e ligjit të pasqyrimit, por përsëri skema dhe eksperimenti rezultuan të suksesshëm. Normalisht që kështu do të ngjaste, sepse këtë na e siguron fizika. Eksperimenti i dytë kishte të bënte më shumë me një aplikim mëse praktik dhe i përdorshëm. Ai i instrumenteve matëse për largësinë në shtrimin e rrugëve, që kuptohet funksionon me laser. Dhe për ta mbyllur vargun e projekteve, fizika na çon pak më larg se Toka vet për të eksploruar nebulat. Një prezantim se çfarë janë këto mistere të bukura të gjithësisë dhe cilat ndër to janë më të famshmet nga Erini dhe unë. Kështu, mund të themi se ka qenë një takim i realizuar në mënyrë të shkëlqyer duke treguar tashmë jo vetëm që fizika është mjaft e bukur, por që ne në Fultz dimë fizikë dhe dimë ta njohim bukur këtë fushë që magjishëm apo jo na shpjegon nga gjërat më të zakonshme për syrin tonë deri në misteret më të mëdha të errësirës. Forca Klubi! Bëhuni dhe ju pjesë.
P.s. Shumë shpejt po vjen takimi i rradhës dhe të jeni të sigurt ka plot, plot gjëra interesante!