Lasgushi më ka thënë

Në fakt ky nuk është një artikull me ndonjë nga ato lajmet “e freskëta fare” apo nga ato lajmet e “sapo dala nga furra”. Ky artikull është më shumë për të rikujtuar gjëra të bukura, dhe për këtë duhet të kthehemi pak pas në kohë (jo shumë në fakt) që të risjellim dhe njëherë një ndër aktivitet më të veçanta të zhvilluara në Fultz.

Dhe tani (që u kthyem pra pak në kohë) jemi në fund tetori 2016, pikërisht në mjediset e bibliotekës, në pasditen letrare “Lasgushi më ka thënë…”.

Një takim i mbajtur në nder të një prej emrave më të mëdhenj të penës shqiptare, Lasgush Poradeci, ashtu si dhe vet emri që i vendosëm takimit e tregon.

Përpiqemi të sjellim kështu pak “atmosferë Poradeci” mes projekteve për jetën, veprën, stilin dhe rolin e rëndësishëm në letrat shqipe dhe krahasimet dinjitoze me emra të famshëm botëror. Mundohemi të sjellim zërin e tij, për ta ngjyrosur sa do pak tablon me aromë dashurie, lirie, thjeshtësie, përmes poezive të tij të gjalla, të interpretuara aq embël dhe ndjerë prej nxënësve që punuan me zell e dëshirë që ky takim të ishte perfekt deri në detaje.

Për më tepër që në mesin tonë të kemi një të ftuar të nderuar, një shkrimtare të mirënjohur si Meri Lalaj, që ka pasur fatin ta njoh nga afër këtë njeri të madh, por kaq të thjeshtë (dhe për këtë faktin e fundit, mjafton të lexoni qoftë dhe vetëm një poezi të tij dhe do të bindeni që thjeshtësia e vargut të tij është në të vërtet thjeshtësia që e ka karakterizuar gjithë jetën). E si mund ta linim pa bërë një intervistë me këtë zonjë. Dhe në fakt doli të ishte një bisedë e ngrohtë, e qetë, e thjeshtë dhe kaq e pasur me mençuri që e treti kohën dhe kujtimet në një tretësirë të embël.

Në të gjithë këtë “muzikë Lasgushiane” na duhet një ndër harmonikat e rëndësishme, plotësuese, edhe ne nuk mund të linim kurrësesi jashtë mikun e ngushtë, Mitrush Kuteli, që e zë vendin e vet në takim shumë natyrshëm e bukur përmes prezantimit me projekte, poemës kosovare (që ka fuqinë të tundi dheun, apo është vetëm përshtypja ime kjo?!) dhe një interpretimi brilant, drithërues dhe të goditur të « Një kartë Shën Naumit ».

Dhe në fund besoj (dhe shpresoj) që të gjithë kemi pasur një ndjesi kaq të bukur për kujtim. Fundja jo vetëm arritëm t’ia dilnim mbanë me një organizim të arritur, por më shumë t’ia dilnim mbanë që ta sillnim vërtet zërin e Poradecit dhe ta njihnim figurën e tij pak më përtej të zakonshmes, të përgjithshmes që shohim përherë. Një kohë e kaluar më shumë se mirë, një kohë që besoj edhe sot në fytyrat e atyre që ishin pjesë do të zgjojë një buzëqeshje të thjeshtë.

Dhe tani mendoj se « mirupafshim » më i mirë do të ishte me vet fjalët e tij, që le të mbesin të pavdekshme para kohës :

E shpirt dyke ma përcjellë

Më thotë ah! Shih sesa ‘sht’i  fellë…

Ky gjir’i em që të pat pjellë…

Me zjarr ju flas…

Me zjarr…