Llamba moderne e Aladinit

Aladini dhe llamba magjike e tre dëshirave. Mjaft e njohur për ne apo jo? Por kjo është një histori e lashtë për një llambë të lashtë dhe unë nuk do të flas me për diçka, që i përket kohës së shahëve e sulltanëve. 

 Llampa moderne i përket jetës sonë të përditshme. Ajo gjendet mes iphonëve, ekranëve kompjuterikë dhe websiteve në Google. Dhe oh, për pak harrova! Ajo nuk plotëson vetëm tre dëshira dhe nuk është pronë vetëm e njerëzve fatlume si Aladini, sepse llampa moderne plotëson me miliona kërkesa në ditë dhe mund ta perdor kushdo.
Nëse nuk e keni kuptuar akoma, llampa moderne është teknologjia e zërit.
Dita kur 95% e popullsisë do të harrojë përdorimin e tastierave (qofshin virtuale ose jo); të shkruajturit me 10 gishta do të jetë diçka e lashtë, që iu hyn në punë vetëm profesionistëve; dhe rritja e një brezi që do të mësojë për MP3 dhe celularët me butona, ashtu siç mësojmë ne tani për Luigjin XIV dhe dinastinë e Stjuartëve, është shumë afër.
Dhe përsëri ata godasin në shenjë! Përse të lodhesh gishtat, kur mund të përdorësh zërin për të vënë në punë celularin dhe kompjuterin tënd? Pse të përdorësh fjalëkalime, të cilat harrohen shpejt, kur fare mirë kompjuteri mund të të identifikojë ty përmes frekuencave të zërit tënd? Madje dhe me praktike se shenja e gishtit, sepse nuk detyrohesh ta prekësh fare pajisjen!
Po, teknologjia e zërit po transfromon kompjuterat dhe po bëhet përherë e më shumë pjesë e të përditshmes sonë. Siri i Apple merr më shumë se 2 miliardë komanda në javë, 20% e kërkimeve në Google bëhen me atë te zërit dhe e gjithë kjo është më e thjeshtë se kurrë. Nuk është nevoja për asnjë manual, për asnjë njohuri në fushën e teknologjisë, sepse fundi i fundit a ka gjë më të thjeshtë se sa thjesht ta kërkosh me zë atë që dëshiron.. dhe si me magji, kërkesa plotësohet! Mund të telefonosh cilindo nga kontaktet e tua, mund të dergosh çfarëdolloj mesazhi në formën e një voice record ose në formë të shkruar; çdo gjë që ju doni të dini, qoftë kjo Ligjet e Termodinamikës, apo formula e Heronit, do të shfaqet në ekranin tuaj për më pak se 1 sekondë, mjafton vetëm…që ju ta thoni.
Ja disa nga mënyrat se si ju mund të përdornin teknologjinë e zërit në jetën e përditshme:
·        Bëni kërkime me atë të zërit; Apple arriti të bënte bujë me Sirin disa vite më parë, por për gjithë ata që nuk janë përdorues të pajisjeve Apple, ekziston dhe ekuivalenti i Windows, Cortana. Gjithashtu, Google ka versionin e tij “OK Google” për të shfletuar në faqet e tij.
 
·        Rregjistroni takime apo lajmërime; Shumë prej nesh organizojnë ditën e tyre deri në detaje, dhe programe si Siri, Cortana dhe OK Google mund te shtojnë lehtësisht takime apo lajmërime në kalendarin tonë.
 
 
·        Kontrolloni aplikacionet e software-it; Ne mund të përdorim OK Google qoftë edhe për të parë apartamentet që shiten në lagjen tonë duke dhënë emrin e një website-i të caktuar. Ose mund të përdorim Sirin për të telefonuar një kontakt nga celulari ynë.
 
·        Diktoni dokumenta, lista, letra etj; Dikur shefi i kërkonte një sekretareje të shkruante kur donte të diktonte një letër, por sot kjo ngjan shumë e prapambetur. Rregjistrues zëri si Dragon mund të transkriptojnë lehtësisht fjalët tuaja.
 
 
·        Korrigjoni dokumentet e papërpunuara; Ekzistojnë programe si Natural Reader ose Narrator, të cilët mund të lexojnë me zë të lartë tekstin tuaj të shkruar, kështu që ju mund të kapni lehtësisht gabimet e bëra në të shkruar.
 
·        Rregjistroni një prezantim live dhe transkriptojeni atë; Nuk ju pëlqen të mbani një bllok për shënimet gjatë një seminari? Përdorni Rev.com dhe ai do të transkriptojë çdo fjalë të thënë gjatë prezantimit, vetëm me një kosto të ulët prej $1.00 për minutë.
 
·        Përktheni fjalët e folura në gjuhë të tjera; Skype Translator është një ndër prodhimet më interesante të teknologjisë së zërit. Ai mund të përkthejë zërat në bisedat në Skype në kohën teksa ju flisni dhe t’ju japë një version të shkruar në ekran të fjalëve të përkthyera. Deri më tani, ai është i disponueshëm në 6 gjuhë: Anglisht, Spanjisht, Frengjisht, Gjermanisht, Italisht dhe gjuhën Mandarine.
Por si çdo gjë tjetër në zhvillim e sipër, teknologjia e zërit ka probleme. Kompjuterat nuk e kuptojnë zhargonin e të folurës së përditshme, kanë vështirësi për identifikimin e gjuhëve të tjera jo mjaft të njohura si shqipja apo rumanishtja dhe ..në fund ata ngelen vetëm kompjutera. Nuk mund të bëjnë një bisedë njerëzore me ju. Ato ç’ka thotë Siri i Apple apo Alexa e Amazon, janë vetëm mesazhe standarte të rregjistruara më parë, por që as nuk mund t’ia afrohen bashkëbisedimit me një qenie humane. Akoma jo aq inteligjent sa duhet, apo jo?
Ndoshta më mirë kështu. Ndoshta do të kemi kohë të shijojmë bisedat dhe ndërveprimin me qenie të llojit tonë edhe për pak. Ndoshta do të vazhdojmë të ftojmë miqtë për një kafe, kur të jemi të mërzitur dhe të vetmuar në shtëpi; ndoshta kompjuterat do të ngelen mjaftueshëm të prapambetur për të na bërë që të kemi akoma nevojë për njerëz prej mishi dhe gjaku në vend të një grumbulli hekurishtesh.
E di se me shumë mundësi ndonjë inxhinieri të Google nuk do t’i kishte pëlqyer mënyra se si unë e arktikuloj të ardhmen me “ndoshta”. Por ka ngelur shumë pak kohë, përpara se e gjithë kjo të jetë kthyer në një realitet të të përditshmes sonë. Sa hap e mbyll sytë, do të jemi mësuar me teknologjitë më të reja të nxjerra në treg, aq sa nuk do të mund ta besojmë dot se dikur kemi bërë dhe pa to.
Deri atëherë unë do t’i lejoj vetes të ulem sërisht të dielave në mëngjes përpara televizorit, njëlloj si 10 vjet më parë, për të riparë për të 50-tën herë versionin vizatimor të Aladinit, ku ai ka në dorë një llambë me xhinde dhe fluturon mbi një qilim persian; dhe ku gjëja e vetme teknologjike, që unë mund të mbaj në dorë është telekomanda e televizorit.
A nuk do të ishte bukur sikur të mund të vazhdonim dhe për pak kohë kështu?