Paksa Piter Pan

Sipas ca llogaritjeve të shpejta tani jam gati 18 vjeç 6 muaj 3 javë e ca ditë, por ama shijoj të qenit përsëri 5 vjeç sa herë bëhet fjalë për një film vizatimor në televizor. Dhe për këtë vë bast që nuk jam e vetmja. Më lini pra ta shpjegoj paksa këtë situatë sa të çuditshme aq edhe fantastike për secilin prej nesh.

Më thoni që edhe ju jeni gati të shikoni për kushedi-të-satën-herë Scooby Doo (E di më ka pëlqyer aq shumë dikur, derisa mësova rregullin e lojës: përbindshi ishte gjithmonë njeriu që ndihmonte grupin dhe përbindshin e gjenin gjithmonë Shaggy me Scooby-in… Nejse edhe tani e dua shumë). Mos më thoni që edhe ju nuk keni kërcyer bashkë me muzikën e Teletubbies pikërisht tek skena ku fshesa me korrent Noo-Noo hyn në aksion. Dhe tani kush nuk e ka parë çdo mëngjes Mjekërkuqin dhe Sandokan (Jam e sigurt që tani keni filluar të këndoni këngën e famshme të këtij të fundit) dhe nëse sot do e shihnit në ndonjë ‘cep’ të televizorit do ndalonit pak të zbaviteni me aventurat e tyre. Për mos t’i hyrë detit të Disney me Mickey Mouse, Aladinin, Hirushen, Borëbardhën, Herkulin (“Fauston e kanë kapur zotëri” ), E Bukura dhe Bisha, Bukuroshja e Fjetur (Tani e kuptoj: thelbi i këtij filmi thellë-thellë ka qenë gjumi për të cilin ne vuajmë në mënyrë të vazhdueshme), sagën e Barbit, 101 dalmatët, Mulan (Kur Mushu i famshëm thotë batutën më të fortë të filmit: “Ke çnderuar veten, familjen LOPËN…”), Sirena e vogël, Pinoku, Lilo dhe Stitch (“OHANA means family” *domosdoshmërisht me zërin e Stitch*), Finding Nemo dhe tani dhe Finding Dory,  Monsters… Janë pafund. Por mos të harrojmë të famshmin Bugs Bunny, Tweety, Silvestre (dhe zëri i tij fiksues), Daffy Duck. Dhe normalisht tani më kujtohet vetja kur dija përmendsh orarin e Dexter’s Laboratory (Akoma më habit fakti se sa të gjata i kishte këmbët motra e vet), Jonny Bravo, Ed Edd & Eddy, PowerPuffs (Ku Buttercup rocks), The Flinstones, Popei Marinari, Fast and Furryous (Por siç e njohim të gjithe Kojota dhe BipBip. O zot sa e çmendur ishte ajo kojota!..), Pantera Rozë (Hajd tani lëreni për 2 sekonda gazetën dhe bëni pak kërcimin e famshëm ta-tata-tatatatatatata-tatata-taa), të paharrueshmit Tomy dhe Jerry, Sailor Moon. Dhe tani fillojmë me addictive ones: Dragon Ball, Naruto, Avatar, Winx. Dhe kush nuk e ka parë Shrek të paktën 10 herë dhe të jetë i gatshëm të thotë gjithë batutat që i vijnë në mendje me zërin e x personazhi le ta harrojë që e ka lexuar këtë artikull se nuk bën për të. Dhe mos harroni The Simpsons, dikur të çuditshëm, tashmë aktual (Sidoms ai Homeri njëherë). Po kemi Toy Story, Garfield (“Unë i urrej të hënat” pikërisht këtu mësuam që e hëna është e destinuar të urrehet), Kung Fu Panda, Ice Age (Ketri me ndjekjen e tij të përjetshme pas asaj super-lajthisë, sikur të ishte kjo super-pjeshkë), Rupunzel, Brave, Frozen (me Olafin me ‘warm hugs’), Moana… Dhe kërkojë falje për të gjithë filmat që kam harruar dhe për batuta epike që nuk i kam përmendur. Do na duhej një natë dimri (edhe pse une besoj do na duhej një dimër i tërë) për t’i thënë të gjitha.

Dhe e gjithë kjo më shtyn të mendoj se ne qenkemi sadopak Piter Pan në vetvete, sadopak Fëmijë të Lumtur, që kemi Kurrëkundin tonë (Ylli i dytë në të djathtë dhe drejt deri në agim) dhe për një moment mundemi të harrojmë dhe veten, dhe vitet, dhe botën dhe të zhytemi në këtë det mrekullie e kujtimesh të ëmbla. Udhëtimi në kohë mund të ndodhka. Po, udhëtojmë drejt atij fëmijës së brendshëm që do ngeli përherë i tillë, e zgjojmë se ka filluar filmi i tij i preferuar, ulemi tok the harrohemi në personazhet e preferuar, aventurat tërheqëse, batutat mekse. Të jemi të sinqertë nuk janë filmat vizatimor ata që na kthejnë fëmijë, jemi ne, kujtimet tona, në përpjekje për të rishijuar periudhën më të bukur të jetës përsëri e përsëri. Mos ia mohoni vetes këtë kthim-pas-në-atë-kohë. Fundja a s’është bukur një arratisje e tillë?! Do t’ju lutesha sinqerisht, përzemërsisht, ndërsa vazhdojmë të rritemi, të vendosim tashmë për të ardhmen tonë, të punojmë dhe mësojmë për një të nesërme të ndritur, mos t’ia lëshojmë dorën këtij fëmijës sonë personal. Le ta lëmë të na bëjë pak per të qeshur. Jeta nuk është gjë pa një të qeshur e shoqëruar me dhimbje brinjësh.

P.S.- Shpresoj të keni qeshur mirë gjatë këtij artikulli, kjo ishte arsyeja fundja.