Aktivitetet sportive gjatë 2016-2017

Me klimën e ngrohtë që po afrohet ngadalë-ngadalë, librat mësimorë që sa vijnë e bëhen më pak të ngjeshur, së bashku me provimet e lëndëve që tashmë kanë filluar me përsëritjet vjetore, kuptojmë se ja hodhëm edhe një vit. O burra, po vjen fundi. Në fakt më pëlqen ky moment. E kujt nuk i pëlqen? Megjithatë, duke përcjellë me krenari breza të ndryshëm e unik, të vjen mirë kur hedh nja dy hapa pas në kohë dhe sheh se ç’është bërë gjatë gjithë vitit. Vit i cili vëmëndjen kryesore është dukur sikur ia ka dedikuar totalisht aktiviteteve sportive.
Duke prekur të gjitha dispilinat sportive, instituti “Harry Fultz” po ecën gjithnjë e më përpara me sportistë nga çdo grupmoshë. Nën moton” Më shumë sport në shkolla për një edukim të shëndetshëm!” kanë filluar ndërmjet klasave ndeshjet, të cilave nuk i mungonte shpirti i konkurencës dhe fitores. Gjatë gjithë vitit shkollor 2016-2017 , janë zhvilluar kampionate të ndryshëm në ambientet sportive komode të shkollës “Harry Fultz”.
Duke filluar me sportin e Football-it, i cili duket se është më i preferuari i nxënësve të shkollës sonë, përmendim se numri i ndeshjeve ka arritur deri 46 ndeshje së bashku me ato ndërmjet shkollave të tjera. Klasat fituese janë të renditura si më poshtë: Ndërmjet klasave të 10-ta ka dalë fituese klasa 1-7 ; ndërmjet klasave të 11-ta fituesit janë në klasën 2-10 ; ndërmjet klasave të 12-ta kupa bie në duart e klases 3-5. Nuk mbeten pas as Basketball-i e Volleyball-i, ku klasa të viteve të para dhe të dyta kanë marrë pjesë gjithsej në 6 ndeshje mes tyre. Numri i nxënësve pjesmarrës në këto aktivitete është 150 nxënës.

 

 

 

 

 

Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe ndeshjet e ekipeve të shkollës në kategori të ndryshme sportive. Shkolla “Harry-Fultz” është përballur gjatë 8 javëve të gjata e të këndshme midis 8 shkollave të ndryshme të Tiranës: Arben Broci, Qemal Stafa, Aleks Buda, Besnik Sykja, A.Z Cajupi, Partizani dhe shkolla Teknike- ekonomike. Ky aktivitet u kurorëzua me ceremoninë e hapjes, i cili më pas mori emrin “kupa Rinia” . Në këtë aktivitet përfaqësues të këshillave sportive të shkollave të ndryshme në Tiranë sjellin një risi ku do të shpalosin vlerat e sportit në shkolla. Motoja “EDUKIM-ORIENTIM-VETËVEPRIM” do të jetë adrenalina e rinisë shkollore.
Deri në përfundimin e muajt mars, janë kryer gjithsej 30 ndeshje ku pjesmarrës nga shkolla të ndryshme ishin 350 nxënës. Në ndeshjet e football-it fituese e kupës “Rinia” doli shkolla Teknike – ekonomike. Në Basketball kupa qëndron në shtëpi për kategorinë e djemve të shkollës “Fultz”. Ndërsa në ndeshjen midis vajzave të Qemal Stafës dhe Arben Brocit, kupa fitohet nga Arben Broci. Në kategorinë e Volleyball-it, djemtë dhe vajzat e Fultzit dalin përsëri kryelartë dhe mbajnë me vete titullin “fitimtarë”, në ndeshjet kundra shkollave “Arben Broci” dhe “Besnik Sykja”.
Mbyllet kështu kupa “Rinia” në ambientet e shkollës “Harry Fultz”. Qëllimi dhe objektivat e këtij aktviteti shtriheshin në rolin e vecantë për sa i përket pjesmarrjes, sensibilizimit, vendosmërisë dhe dëshirës së nxënësve për tu angazhuar sa më shumë me edukim fizik. Duke besuar se tek ta janë vlerësuar dhe ngulitur në zemër vlerat kryesore të olimpizmit: Respekt, Miqësi, Përsosmëri.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Nuk mbaron me kaq aventura për deparatamentin e sportit të shkollës Harry Fultz. Duket se profesorët dhe mësuesit nuk lodhen duke kërkuar sa vjen e më shumë dëshirën për tiu dedikuar edukimit me sport, gjë e cila kohët e fundit mungon tek të rinjtë shqiptar. Aktiviteti i rradhës i zhvilluar në ambientet e gjëra të shkollës sonë ishte ai i datës 6 prill, i dedikuar tërësisht ditës ndërkombëtare të sportit për zhvillim dhe paqe. Për këtë aktivitet u fol gjatë e gjerë në media e gazeta shqiptare. Kjo ditë, festuar nga e gjithë bota, promovon mënyrën e shëndetshme të jetës. Ne, në “Harry Fultz” e bëjme më së miri këtë, duke kontribuar që nxënësit të kenë jo vetëm një shkollë të mirë por edhe më shumë mjedise sportive, ku ata të shoqërohen dhe të kenë edhe një jetë më të shëndetshme.
Shkolla “Harry Fultz” luan një rol kryesor për sa i përket angazhimeve në aktivitetet sportive mes shkollave të Tiranës dhe jo vetëm. Një ditë e organizuar tërësisht nga vetë nxënësit e shkollës, me një pjesmarrje prej 150 nxënësish, nga gjimnazet “Harry Fultz”, “Sami Frasheri”, “Arben Broci” dhe “Teknike-Ekonomike”.
Pika më kryesore e aktivitetit ishte pikërisht ceremonia e hapjes së tij. Në këtë ditë të shënuar, së bashku me prezencën e zëvendësministres se Arsimit Znj. Nora Malaj, u fol nga i gjithë bordi drejtues për vlerat e një ditë të tillë, për qëllimet dhe rëndësinë e saj. Me përshëndetjen e ngrohtë dhe fjalët inkurajuese që nxënësit morën nga Znj. Malaj, vajzat e talentuara të akrobacisë së shkollës sonë përshëndesin me një nga performancat e tyre më të bukura. Gjithashtu, ceremonia shoqërohet me kërcim edhe nga vajzat e shkollave “mysafire”.
Sigurisht që ne mendojmë me detaje, për cdo gjë. Si mund të kishte një ditë Paqeje, pa simbolin më të njohur të Paqes? Katër pëllumba të bardhë fluturuan sipër fushave të shkolles “Harry Fultz”. Një shenjë kjo për të shpërndarë kudo rreth nesh: Sport dhe Paqe.
Pas ceremonisë që zhvillohej në ambientet e fushës së football-it, sportistat tanë ndahen në fushat përkatëse që të fillojnë ndeshjet në displina të ndryshme. Football, Volleyball, Basketball së bashku me StreetVolley dhe StreetBasket. Kësaj rradhe nuk kishte fitues, për nder të ditës së shënuar, ekipet luajtën një lojë FAIR PLAY, ku të gjithë nxënësit rrespektuan dhe vlerësuan njëri-tjetrin, mbi të gjitha, duke u argëtuar.

Më datë 6 prill 2017, grupi aerobisë i shkollës sonë, i përbërë nga plot 30 vajza, mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ne sheshin “Nënë Tereza”, me një FlashMob tepër interesant nën ritmet e kërcimit Zumba.

Falë punës së përkushtuar të profesorëve tanë, mësuesëve të fizkulturës dhe vullnetit të nxënësve, arritëm që të mbushnim edhe këtë vit plot të qeshura, argëtim e mbi të gjitha SPORT. Kështu nuk mund të lëmë pa përmendur disa nga sportistët protagonist, pa ndihmën e të cilëve nuk do të ishte e mundur të arrinim as gjysmën e punës së realizuar.
Sipas sporteve të ndryshme; në football cilësuar nga profesorët tanë të fizkulturës do të përmendim; Gjergji Doçi, Marios Jorgo, Klaudio Bregu, Redi Veriu, Geri Hatia, Bekim Jaku. Në basketball djem: Arbër Babasuli, Rei Koka, Eneld Ahmetaj, Enco Gjonaj, Endi Shahu, Daniel Kuqi. Ndërsa në Volleyball , edhe pse me mungesën e një prej drejtueseve më të zonja në shkollën tonë, skuadra e vajzave përsëri ja ka dalë mbanë të kryesojë ndër më të mirat: Anamaria Mhilli, Geri Kapaj, Lulzime Hasanaj, Jorida Çuni, Zyrina Tali etj. Sigurisht që edhe vajzat e kërcimit nuk mbesin pas. Duke na shoqëruar pa u lodhur në çdo aktivitet që zhvillohet, duke na ofruar një performancë të këndshme për syrin e të gjithëve, nën ritmet më të njohura muzikore: Jorida Çuni, Angela Loka, Laura Muça, Anamaria Mhilli, Jokli Lito, Ester Proseku, Endi Dika e shumë të tjera.

E nuk mbaron me kaq. Departamenti i fizkulturës ka ende shumë surpriza për të gjithë ju. Nuk e kemi harruar “Ditën Olimpike” për këtë vit. Është një traditë tashmë që prej vitit 2004. Në këtë ditë shumë të rëndësishme, bëhet mbyllja e të gjithë aktiviteteve sportive për vitin shkollor 2016-2017. Në këtë ditë Olimpike, nxënësve më të dalluar të aktviteteve sportive i shpërndahen çertifikata dhe kupa.
Një tjeter surprizë e këndshme për mos tu humbur është edhe Shfaqja me artet marciale, një risi e re, një frymë ndryshe në ambientet tona për këdo që është i apasionuar në çfarëdolloj sporti. Xhudo, Karate, Kick Box e shumë kategori të tjera.
Andaj mos humbisni kohë! Bëhuni dhe ju pjesë e aktiviteve plot larmishmëri që ofron departamenti i fizkulturës në shkollën tonë.

Një këshillë miqësore: merreni “Laboremus-in” në dorë dhe filloni të shfletoni, se kush e di gjendet dhe emri juaj aty.

“Mens sana in corpore sano!”