Intervistë me Martineta Lekën.

Mësuese në Departamentin e Biznesit për më shumë se 20 vjet. E pranishme në të gjitha ndryshimet që ka patur Dega e Biznesit ndër vite, në këtë intervistë ajo do të na tregojë më shumë për eksperiencën e saj shumë vjeçarë në institutin “Harry T. Fultz” dhe se si kanë ndryshuar brezat që nga vitet e saj të para si mësuese e deri më sot. Kjo intervistë mund t’i sjellë nostalgji ish-nxënësve të saj, por nga ana tjetër do të jetë një udhërrëfyes për të kuptuar stafin e mrekullueshëm të mësuesëve që i gjen çdo ditë në anën e majtë të katit të dytë të godinës A. Jo të gjithë ata që mbarojnë degën e biznesit në Fultz e dinë me siguri se në çfarë kompanie, banke apo shteti do të punojnë në të ardhmen, por është e sigurt se të gjithë ata që kanë marrë pjesën në orën e marketingut, praktikës së zyrës apo hyrjes në biznes, kanë njohur pa diskutim një ndër zyshat më të mira që ka patur ndonjëherë Fultzi.

  1. Si ka ndryshuar interesi i nxënësve të rregjistruar ndër vite për degën e biznesit?
    Në krahasim me vitet e para të punës ku dega e biznesit ka patur disa klasa paralele, me kalimin e kohës, interesi i nxënësve është fokusuar tek dega e elektronikës. Ndër vite numri i klasave të biznesit është zvogëluar. Hapja e gjimnazit të përgjithshëm dhe tendenca drejt teknologjisë ka ndikuar mjaft në këtë pikë.
  1. A arrijnë nxënësit gjatë kohës së tyre në Fultz të prekin botën e vërtetë të biznesit, dhe jo vetëm atë të shkruar në libra?
    Po, sigurisht. Nxënësit bëjnë vizita nëpër biznese, kompani reale, ku ata kanë një qëllim të caktuar të vizitës së tyre, pra shkojnë të përgatitur, dhe këto aktivitete i mbulon zysha e praktikës. Kanë shkuar në kompani shumë prestigjioze si Coca-cola, Agna Group, agjensi sigurimesh etj, dhe kanë parë proçese prodhimi apo shërbimesh. Ndërsa në lidhje me aktivitetet, nxënësit tanë janë pjesëmarrës në shumë të tilla, duke filluar që nga përfshirja në projektin e Junior Achievement, ku nxënësit përgatiten për gjatë një viti shkollor për krijimin e një ideje sipërmarrëse dhe për zhvillimin e saj. Konkursi konsiston në përzgjedhjen e idesë sipërmarrëse më të mirë. Prej tre vitesh rresht si pjesëmarrës, kemi krijuar një traditë shumë të mirë në këtë aktivitet. Vitin e parë, ideja jonë u vlerësua me Çmimin e Idesë më Inovatore, vitin e shkuar jemi kualifikuar në gjashtëshen më të mirë. Ndërsa sivjet u kualifikuam në 20 shkollat më të mira të Republikës.Të tjera aktivitete të Junior Achievement janë “Kampi Rajonal i Inovacionit”, ku nxënësit përfaqësues nga shkolla të ndryshme të Republikës apo të rretheve  të caktuara, njihen me një problem biznesi dhe punojnë gjatë një dite të tërë për gjetjen e një zgjidhjeje dhe prezantimin e saj para një jurie; dhe  “Lider for a day”, ku nxënësit përzgjidhen  për të kaluar një ditë të tërë me një lider të botës së biznesit.
    Kemi dy vjet rresht që marrim pjesë në konkursin e “Marketing Zone” të organizuar nga Epoka Univeristy. Ne 2015, si viti i parë ku morrëm pjesë, fituam edhe vendin e parë.
    Ndërsa vizitat nga personalitete në shkollë, kemi patur shumë. Ndër ta përmendim: Edmond Lekën, anëtar i bordit drejtues të shkollës “Harry Fultz”, anëtar i bordit të bankës “Union Bank”, si dhe biznesmen i mirënjohur; Artan Hoxhën, ekspert i mirënjohur i ekonomisë.  Së fundmi kemi patur vizitën e Arben Malaj, ish-ministër i Financave dhe rektor në Universitetin “Luarasi”, si dhe shumë të tjerë.
  1. Çfarë mundësish punësimi ka një nxënës i diplomuar në degën e biznesit në Fultz?
    Me njohuritë që merr këtu, nxënësi është në gjendje të bëjë një reklamë, ( pra të punësohet në departamentin e reklamës së një biznesi), të mbajë dokumentacione për sa i përket pjesës financiare, të bëjë bilance, por jo të arrijë deri në analiza të detajuara financiare, sepse këto kërkojnë një nivel më të lartë. Por realisht formimin akademik dhe aftësitë praktike, nxënësi  arrin t’i marri. Pastaj nëse është i aftë që të përshtatet me kërkesat që kanë bizneset, ai mund të arrijë të jetë deri në një specialist të mesëm. Madje disa janë punësuar edhe me periudha kohe të pjesshme, por duke qenë se tani tendenca është për të mbaruar shkollën e lartë, të gjithë synojnë të arrijnë në pozita drejtuese.
  1. Dega e biznesit është 4 vjet, ndryshe nga gjimnazi i përgjithshëm, i cili është 3 vjet. A mendoni se kjo degë e justifikon një vit më shumë?
    Sigurisht, katër  vite janë të domosdoshme, sepse shtrirja e lëndëve nuk mund të bëhët në tre vite. Nxënësit marrin kulturën e përgjithshme njëlloj si gjimnazet, por përveç kësaj marrin dhe kulturën profesionale njihkohësisht. Një nxënës që ka mbaruar degën e biznesit në shkollë të mesme, e ka shumë më të lehtë të kuptojë kontabilitetin apo ekonomiksin në fakultet, krahasuar me një nxënës që vjen nga gjimnazi i përgjithshëm. Dhe jo vetëm ata që vazhdojnë studimet në Shqipëri, por edhe ata që kanë shkuar jashtë, qoftë në Evropë apo në Amerikë, kanë qenë shumë të familjarizuar me gjuhën dhe me konceptet e lëndës.
  1. Çfarë mendimi keni për librat mësimorë të përdorur në degën e biznesit? A janë ata të efektshëm dhe efikas në mësimdhënie?
    Cilësia e librave është shumë e mirë, sepse janë libra të nivelit ‘Technical School’, me një anglishte shumë të lehtë , me një leksik të kuptueshëm dhe me shpjegime të qarta. Madje në një vizitë që kemi bërë para disa vitesh në Amerikë, kam parë se libri i “Office Skills” dhe i “Accounting” në një shkollë të mesme në Maryland ka qenë i njëjtë  me atë që përdornim ne në Harry Fultz. Ndërsa librat e “Marketing”,  “Bussines Managment”, “Finance”  janë libra që përdoren dhe në universitete.
  1. A kanë qenë nxënësit e Fultzit të degës së biznesit pjesë e brezit të sipërmarrësve të rinj shqiptarë?
    Perderisa zhvillimet ekonomike të vendit bëjnë të mundur që shumë prindër të kenë aktivitetet e tyre, kjo është një mundësi shumë e mirë për t’i mbeshtetur ata, duke përdorur njohuritë që kanë marrë në shkollë dhe duke aftësuar dhe veten nga ana praktike. Zakonisht gjatë periudhës verore, një nxënës që do të punojë në aktivitetin e prindërve, mund të punojë me kohë të plotë. E vetmja vështirësi që mund të hasin si fillim, do të jetë përshtatja e njohurive me llojin e aktivitetit të biznesit, në të cilin në te ardhmen do të bëhen dhe ata pjesë. Dhe une këtë shoh si mundësinë e  punësimit më të shpeshtë që ndodh.
  1. Ç’mund të na thoni për historitë e suksesit të ish-nxënësve të degës së biznesit?
    Ka patur mjaft nxënës të suksesshëm, ndër ta përmendim së fundmi Aleksandër Bellon, i cili tashmë punon si inxhinier tek Whatsapp-i. Emra të tjerë përmendim: Blerina Preza, e cila ka mbaruar studimet në Univeristetin e Tiranës për administrim biznesi dhe ka punuar për Eagle, Agna Group, etj; Jorida Papakroni, ndihmës-petagoge në Franklin and Mashall Çollege, Virginia, SHBA; Anisa Vrenozi, petagoge në Univeristetin e New York-ut, Tiranë; Drini Zusi, vazhdon studimet për biznes në Londër; Arba Baxhaku, ka mbaruar studimet për arkitekturë në Firenze, Itali si dhe shumë emra të tjerë. E mira e degës së biznesit është se çfarëdolloj universiteti të vazhdosh në të ardhmen, ti do të kesh njohuritë bazë për të menaxhuar aftësitë apo talentet e tua, duke i kthyer ato në fitimprurëse.

Ju falenderojmë për intervistën!