Si të mos jemi më “A Procrastinator”

Kisha menduar një hyrje totalisht tjetër po duke qënë se nuk u ula në moment për ta shkruar, por vendosa që e nesërmja do të ishte dita vendimtare, perfekte për ta përfunduar këtë detyrë, fare thjeshtë e harrova si do e nisja. Është pak ironike kur tema e artikullit që ke vendosur të dorëzosh për këtë muaj në gazetë është pikërisht ‘Si të mos jemi më një Procrastinator’. Pra si fillim më lejoni ta shqipëroj pak këtë fjalën ‘Procrastination’ për ta bërë më të qartë e më të prekshme për të gjithë.

 

Përkufizimi i saktë do të ishte: të shtysh për një moment të dytë atë që je shumë i vetëdijshëm se duhet ta bësh tani. Pra, do të thotë që t’i bësh pak më vonë detyrat e shtëpisë, sepse tani po i bën një check Instagram-it për të 100 herë dhe tashmë e ke mësuar feed-in përmendësh. Do të thotë të kesh një muaj kohë të bollshme për projektin përfundimtar të kimisë, por përsëri përfundon duke e bërë ditën e fundit në një maratonë-gdhirjeje. Do të thotë të mësosh nesër për testin e fizikës, sepse ke boll kohë dhe është më e logjikshme që sot të zbulosh skutat më të fshehta të youtube me video nga show-et më të preferuara, performanca makinash, teste logjike, video për të qeshur me kafshë, vlog-e, deri te videot e famshme se si mos të procrastin-osh ndërkohë që atë je duke bërë. Ose ta shkruash nesër artikullin e gazetës që duhet ta kishe dorëzuar para disa ditësh, sepse ndërkohë që mblidhje informacione humbe në internet dhe përfundove duke parë origjinën e çudishtme historike të disa gatimeve. Më besoni, kur ti je në këtë procesin ‘lëre se e bëj nesër’ ndihesh relativisht mirë. Fundja po e shpërblen veten tënde me një kohë relaksi moskokëçarës. Por ama dita kur do përballesh vërtet me këto detyra, që ti do-apo-nuk-do do i bësh, vjen më shpejt se ç’kujton dhe nëse je në Fultz dhe ndodh skenari i frikshëm që deadline-t takohen pikërisht në një ditë atëherë mund t’jua them me siguri: The odds are not in your favor. AT ALL.

 

Por si ndodh kështu? Do me thënë çfarë ndodh në truri tonë ndërkohë? Më lini t’jua përshkruaj pakëz në një formë të tillë: në tru janë dy personazhe, Ti i përgjegjshmi që bën lista, organizon kohën dhe je plotësisht i vetëdijshëm për detyrat e tua, dhe një Majmun i lezetshëm, por mizor që nuk është aspak si Ti dhe do vetëm të bëjë qejfin e vet. Dhe diku aty është një timon, që le ta quajmë Timoni i vendim-marrjes. Shpesh drejtimi i këtij të fundit përfundon në duart e Majmunit të çmendur që bën gjithë ato veprimet që i rradhitëm bukur bukur më lart. Ndërkohë që jetojmë nën drejtimin (i thënçin drejtim) të Majmunit shfaqet Monstra e deadline-it, e vetmja gjë që e frikëson Majmunin, dhe ti detyrohesh të marrësh Timonin pikërisht në çast paniku e stuhie dhe përpiqesh t’ia dalësh si të mundesh.

 

Përse pra ndodh kështu? Epo Ti i përgjegjshmi ke plot plane për çfarë duhet të bësh, por ama të çalon puna të fjala ‘plot’. Ndoshta në mëngjes i ngarkon vetes një mal me detyra dhe përfundon duke mos bërë asnjë, sepse ishin aq shumë dhe ti i pe si një mal i vetëm dhe normalisht të ka zënë frika dhe ke menduar që po ta vësh mënjanë ndoshta mali do pësojë ndonjë erozion të fuqishëm dhe nesër do jetë më i vogël. Kështu ti shpërblen veten pa bërë asnjë punë. Dhe më besoni, Majmuni aq do, sa ta çiki pak atë Timon dhe hajde të presim për Monstrën pastaj. Dhe ju e dini që kjo nuk është zgjidhje.

 

Tani pra që dimë procesin, pasojat, si dhe përse ndodh besoj do e kemi më të lehtë për të parashtruar zgjidhjet e mundshme.

  • Mos u përpiqni të bëni lista kilometrike të gjërave që duhet të përmbushni sot. Do të ishte më mirë sikur të shënjonit në mendjen tuaj 5 gjërat më të rëndësishme, të radhitura sipas prioriteteve që ti ke caktuar në bazë të atij planit më të madh që ke për jetën. Dhe përqëndrohuni vetëm te këto 5 gjëra për ditën.
  • Pra tani kemi vetëm 5 detyra. Hapi i rradhës është të fillosh. Dhe duke nisur nga vetja e di se ndonjëherë pjesa më e vështirë është pikërisht të fillosh të bësh diçka, një projekt, një detyrë, një prezantim, çfarëdo qoftë. Këshilla ime për këtë: fillo me hapa të vogla dhe pikërisht me pjesën që të pëlqen më shumë. Kur kam për të bërë një prezantim për diçka që nuk e kam dhe aq përzemër nis përherë me dizajnin dhe kur kam vendosur gjithçka për pamjen e jashtme më duket sikur puna do të më shkojë mbarë.
  • Ështe një rregull i artë, thonë, i 5 minutave. Funksionon kështu: ti ulesh dhe punon me intesitet të lartë për 5 minuta. Pastaj mund të pushosh dhe të shpërblesh pak veten. Por ama ato 5 minuta vërtet do punosh. Në shumicën e rasteve pasi ke filluar të punosh për 5 minuta gjasat janë të vazhdosh të punosh për shumë më shumë duke nxjerr diçka në dritë.
  • Dhe sigurisht, shpërblejeni veten për punën e bërë. Mos prisni të mbaroni atë projektin për të shpërblyer veten, por vendosni një rregull. Për shembull për 20 min punë pushoni 5 min. Dhe në këto 5 min bëni, sinqerisht, çfarë të doni. Por ama shikoni anën pozitive që keni bërë 20 min punë të vlefshme dhe me këtë ritëm do ia dilni mbanë më shpejt se ç’keni menduar.

 

E di që përsëri ngelet diçka e vështirë t’i rezistosh tundimit për të bërë tani pushim e pastaj punë. Por mos hiqni dorë. Fundja njëlloj do e bëjmë punën dhe njëlloj do të lodhemi në fund. Ndryshimi është që nëse vazhdojmë me këtë mënyrë të menduari e të vepruari që ‘mund ta bëj nesër’ në fund do i shtojmë vetes dhe një stres të panevojshëm të përballjes me kufijtë kohorë që nuk janë në dorën tonë dhe do të bëjmë një punë më të dobët.

Pra, tani futjuni punës. Asgjë nuk është aq e vështirë dhe e paarritshme nëse të paktën fillojmë të punojmë për të. Dhe mos harroni, shpërblejeni veten!