Ngrije zërin!


Fultzi” kthehet sërish kampion në debatet mes shkollave! 
Dhjetori i vitit 2017 mbyllet më bukur se kurrë për katër nxënësit e shkollës sonë.
Në kuadër të projektit “Mbështesim forcat Anti-korrupsion në Shqipëri”, bërë i mundur nga organizata “OSCE”  nxënësit Aldi Shehu, Ana Peçi, Klea Kapllani dhe Kejsi Beqiraj kanë përfunduar fazat e fundit të debatit në rangun e të gjithë gjimnazeve të Tiranës. Në datat 11-12-13 dhjetor, në ambientet e hotel “Monarc”  janë zhvilluar seancat përfundimtare mes 8 gjimnazeve në Tiranë. Debati zhvillohej me temë kryesore: “A duhet të jetë prioritet korrupsioni në arsim, për të reduktuar korrupsionin në vend?”. Në fazën e parë nxënësit tanë u përballën me shkollën “Qemal Stafa” duke mbrojtur tezën: “Arsimi nuk mund të jetë prioriteti për të reduktuar korrupsionin në vend!” Me fakte, argumente e shembuj konkretë bindëm jurinë dhe fituam të drejtën për të kaluar në takimin gjysëmfinal.
 Përballja tjetër me shkollën “Ismail Qemali” i nxori sërish fitues nxënësit tanë. Kësaj here me tezën: “Korrupsioni në arsim duhet të jetë prioritet për të reduktuar arsimin në vend!” Si finalistë të fortë të këtij debati u gjetëm përballë me shkollën “Sami Frashëri”. Të dyja skuadrat u paraqitën me përgatitje serioze. Juria përbëhej nga përfaqësues të “OSCE”, “MASH” e “DART” dhe vendosën që nxënësve tanë t’u japin trofeun e vendit të dytë në këtë debat. Bashkë me nxënësit e “Sami Frashërit”dhe “Asim Vokshit” nxënësit tanë fituan të drejtën për të udhëtuar një javë në Vienë si fituesit finalistë të këtij takimi në rang qyteti. Këtu fillojnë aventurat!
Gjatë kësaj jave, katërshja fantastike jo vetëm që pati mundësinë të vizitonte një qytet kaq përrallor sa Viena, por gjithashtu morën pjesë edhe në shkollën dimërore në Institutin e gjuhëve të huaja “I.n.n.e.s” , e cila organizohej nga rrjeti  “Ge 4” (Global Education; exchanges for engineers and entrepreneurs). Programi i shkollës ishte mjaft interesant pasi përfshinte orë mësimore në të cilat nuk mungonte as aktiviteti mendor dhe ai kreativ, por as argëtimi dhe të qeshurat. Nxënësit tanë u njohën me metodikat e Komunikimit qeveritar si dhe Administrimin e të folurës  në publik. Ky program ndihmonte në zhvillimin e aftësive praktike për të shkruajtur dhe për të folur në mënyrë formale. Programi nuk bazohej vetëm brenda për brenda mureve të shkollës, por konsistonte edhe në eskursione të ndryshme, si p.sh vizita në ministritë federale austriake, një tur në “United Nations Vienna Headquarters”, dhe më interesanti, një takim me përfaqësuesit e parlamentit austriak! Gjatë këtij takimi, ata i drejtuan pyetjet e tyre udhëheqësve të vendit austriak në formën e një interviste të hapur. Përgjigjia më e bukur që ata dhanë ishte patjetër ajo e pyetjes që Aldi Shehu u drejtoi: “Sigurisht që marrëdheniet tona me Shqipërinë janë shumë të mira, tanimë edhe me të ngushta duke shpresuar se e ardhmja e një vendi të vogël si Shqipëria të jetë në duart e të rinjve kaq punëtor sa ju!”
Një udhëtim fantastik i cili i njohu nxënësit tanë jo vetëm me kultura të reja por edhe me miqësi të re. Rivaliteti i tyre gjate kompeticionit kthehet shumë shpejt në argëtim dhe sëbashku me dy gjimnazet e tjera fituese, Fultzistat tanë përjetojnë një nga eksperiencat dhe kujtimet e tyre më të bukura.
Në fund të fundit, ata ngritën zërin dhe u dëgjuan!
Sigurisht që të gjitha këto nuk do të ishin bërë realitet pa mundesitë e mëdha që drejtoria e shkollës sonë u ofroi nxënësve, përgatitjet e tre mësueseve në departamentin e shkencave sociale: Drita Tane, Ana Shoshi dhe veçanërisht Suela Shala. Falenderimi më i madh shkon pikërisht për to, të cilat janë gjithmonë në gatishmëri për të na ndihmuar e udhëzuar! Faleminderit edhe ju, nxënesit tanë, që përfaqësoni denjësisht shkollën tuaj kudo që shkoni!