Për teatrin.

Së fundmi, artistëve të vegjël të shkollës sonë u është dhënë mundësia për të qënë pjesë e zemrës së Teatrit Kombëtar. Të gjithë me rradhë, aktorët, skenografët, kostumografët kanë futur në rutinën e tyre tashmë ndjekjet e provave gjenerale të shfaqjeve më të mëdha të teatrit, të cilat vihen në skenë një pasdite më përpara premierës së tyre. Për të gjithë ata që kanë nevojë të ndihen mirë një pasdite, të ndihen të inspiruar, të ndihen të gjallë, atëherë mbylluni në atë skenë që mbart histori, në atë  skenë që ka pritur shumë spektatorë, shumë adhurues të artit, shumë kokëkrisur të tjerë,  e rehatohuni në karriget e kuqerremta…

Ne të Fultzit e kemi artin në gjak! Falë talentit të nxënësve tanë, emri ynë ka arritur në veshët e kujtdo që adhuron artin. Të gjithë i mbani mend shfaqjet historike të kësaj shkolle, të gjithë Fulzistat i dinë historitë që kanë ardhur në jetë në ambjentet e bibliotekës dhe së fundmi në ato të auditorit të shkollës sonë. Jam i sigurt se edhe ata që na janë bashkuar së fundmi kanë dëgjuar për shfaqjen e mrekullueshme: ” Nata e dymbëdhjetë” apo “Shi në plazh” apo për “Martesa e avokatit”, këtu e katër vjet më parë, për të mos harruar “8 persona plus” e shumë të tjerë!

Emra të shumtë më buçojnë në mendje tani kur kujtoj gjithë këto shfaqje, perla të Fulzit të cilat do të mbeten gjithnjë në kujtimin tonë. Sërish, ne nuk mund të rrinim duarkryq kur mundësitë e arta na kalojnë përpara udhës sonë. Kemi qenë dhe do të jemi gjithnjë gati për t’u përfaqësuar denjësisht, në emër të shkollës, por gjithashtu në emër të gjithësecilit prej nesh.
Një ndër mundësitë më të mëdha që u ka ardhur nxënësve tanë gjatë muajve të fundit është edhe propozimi nga Teatri Kombëtar, që Drejtoria e shkollës nuk nguroi për ta përqafuar dhe për ta prezantuar tek artistat e vegjël. E gjithë trupa e teatrit ka ndjekur provat gjenerale të shfaqjeve që mund t’i keni parë si premiera të famshme në qytet. Kemi vizituar prapaskenat dhe garderobën e larmishme të Teatrit Kombëtar, kemi qenë pjesë e intervistave dhe kronikave që janë dhënë nga regjisorët  dhe aktorët më të famshëm shqiptarë, dhe madje në shumë raste u kemi drejtuar dhe ne pyetjet tona atyre (duhet të them se krijuam një përshtypje shumë prestigjoze tek të gjithë).

Nuk janë pak nxënësit që janë futur në historinë e shfaqjeve të Fulzit, prej talentit dhe vullnetit të tyre, megjithatë nuk është vonë asnjëherë për të shprehur atë çka ju dëshironi më shumë. Je në shkollën e duhur, nëse të pëlqen arti dhe aktrimi! Ah po, me siguri e keni dëgjuar se keni bërë zgjedhjen e duhur nëse parapëlqeni shkencat ekzakte gjithashtu. Ashtu është! Mund ti bësh të dyja në Fultz, mundësitë janë të mëdha, mjafton vullneti dhe dëshira jote.

Megjithatë jeta e artit në Fultz, është prekur nga ndryshimet që kanë ndodhur kohët e fundit me institucionin që frymëzon jo vetëm artistët e Fultzit por këdo që pëlqen artin e vërtetë.Ditët e fundit në aktualitetin shqiptar, vëmendja është përqendruar në çështjen e Teatrit Kombëtar. Para se të flasim në lidhje me problemet që shfaq sot Teatri Kombëtar dhe statusi i aktorit, duhet të shikojmë se si ka nisur dhe është zhvilluar ky problem.

Teatri Kombëtar u krijua në vitin 1945 në Tiranë. Fillimi i viteve 40-të është lidhur ngushtë me Teatrin e Luftës Nacional-Çlirimtare, grupet teatrore të të cilit u bënë bërthama e krijimit menjëherë pas luftës së Teatrit Profesionist të Shtetit dhe Shkollës së Dramaturgjisë. Godina e Teatrit, që sot është molla e sherrit mes aktorëve dhe qeverisë, daton që prej 1939. Funksioni i kësaj godine ka ndryshuar me kalimin e kohës. Në fillimet e veta ka patur emrin “Kinema Teatër Kosova”.  Më pas në vitin 1945, me ndryshimin e sistemit politik, ndryshime pësoi edhe institucioni kryesor në Shqipëri për sa i përket fushës së artit. Me çlirimin e vendit, teatri shqiptar hyri në rrugën e zhvillimit profesionist të tij. U ngrit i pari teatër profesionist i quajtur “Teatër i Shtetit” (më vonë, Teatri Popullor) dhe pranë i tij u ngrit edhe shkolla e parë dramaturgjike me aktorë amatorë që vinin nga radhët e aktivistëve të shquar gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare. Më pas me ardhjen e demokracisë, Teatri Kombëtar u prek sërish nga ndryshimet. Teatri u gjend përballë sfidash të reja. U aplikuan stile, metoda e prurje bashkëkohore të teatrit botëror. Kërkimi i një gjuhe më konvencionale, simbolike e metaforike është pjesë organike e përpjekjeve të artistëve në zhvillimin e teatrit shqiptar. Futja e një fryme të re u ndje në repertorin e teatrit. Vëmendja e artistëve u drejtua ndaj atyre dramave bashkëkohore, të cilat kishin qenë të ndaluara më parë, sidomos ato të teatrit absurd.

Por pavarësisht kontributit të vyer që ky institucion dhe personalitetet përfaqësuese të artit të bukur shqiptar kanë dhënë në kulturen e vendit tonë, sërish Teatri Kombëtar përballet me probleme të cilat duhet të ishin zgjidhur vite më parë. Kur përmend fjalën “Teatër Kombëtar” në vitin 2018, në ambjentin shqiptar,  të vijnë në mend aktorë si Kadri Roshi, Sandër Prosi, Ndrek Luca, Agim Qirjaqi, Reshat Arbana e Roza Anagnosti dhe talente të padiskutueshëm si Indrit Çobani, Xhino Musollari, Lulzim Zeqja e Laert Vasili. Është për të ardhur keq që mendimi i parë në kokën e çdokujt lidhet me gjendjen e rënduar fizike dhe ekonomike të këtij institucioni. Çdo ditë në lajme të rinjtë dëgjojnë sesi teatri denigrohet çdo ditë e më shumë duke e lënë në mëshirë të fatit jetën e çdokujt që futet në atë sallë pothuajse 80 vjeçare. 80 vjetori i krijimit e gjen teatrin në gjendje të mjerë. E pikërisht në këtë gjendje alarmante ajo që vret më shumë është indiferenca e personave që kanë në dorë, këta të fundit pa asnjë lidhje me çështjen “kulturë”, fatin e Teatrit Kombëtar të shqiptarëve. Madje nuk kursejnë as mediokritetin që i karakterizon duke shfaqur imazhin e tyre nëpër foltore që nuk i meritojnë, e çfarë thonë? Me çfarë e ushqejnë brezin e ri që po rritet me një teater që nuk ka mundësitë minimale të bëj një shtesë në ndriçimin e skenës? A po jeton Teatri Kombëtar në periudhën e ndryshimit?

Përgjigjia e kësaj pyetjeje është diskrete, e mirëruajtur në zyrat e administratës shtetërore që e shikon Teatrin Kombëtar si godinën e rradhës që mund të kthehet në kullë biznesi e jo si djep kulture. Rinia shqiptare në këto momente si dhe vetë aktorët kanë nevojë të shikojnë një Teatër “KOMBËTAR” të denjë. Sigurisht një nga aspektet është dhe godina, ku ky teatër duhet të zhvillojë aktivitetin. Shembull janë marrë vendet fqinje me Shqipërinë, por për mendimin tonë nuk është e nevojshme. Vendi ynë ka aq talent sa të jetë i veçantë. Ajo që ne kemi nevojë  nuk janë shembujt, por iniciativa. Para disa ditësh artistët shqiptarë janë bërë bashkë në një protestë kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe amendimet e bëra në ligjin “Për artin dhe kulturën”. Kjo është nisma dhe iniciativa që të gjithë kërkojnë. Në fund të ditës, kërkohet transparencë dhe dialog i qartë me të famshmet institucione të artit dhe kulturës!

Kur fjalët thuhen nga profesionistët, institucionet duhet të dëgjojnë. Po kur këto fjalë shkruhen dhe përcillen nga të rinjtë, institucionet duhet të kenë frikë. Nëse do të jetë e nevojshme, rinia dhe nxënësit që e duan vërtet artin do i bashkohen frymës e fjalës PRO Teatrit. Tani rinia nuk fle më.

*Në foton e mësipërme, nxënësit e shkollës “Harry Fultz” sëbashku me aktorin e madh Artan Imami.