Ishte nata e 26 Nëntorit 2019, kur gjithë themelet e tokës sonë, e nënës Shqipëri, u
tundën dhe shkundën. Gjithçka nisi si një natë e qetë, deri kur akrepat e orës
shënuan 3:54 të mëngjesit, pa u zbardhur akoma ditë. Kjo shkaktoi një miks
ndjenjash të pa dëshiruara. Të rrethuar nga errësira e natës, njerëzit u pushtuan nga
ankthi, frika e paniku. E vetmja gjë që të kalonte ndër mend në ato momente frike,
ishte se sa të vegjël jemi si qënie dhe sa të pafuqishëm jemi edhe për të mbrojtur
vetëm veten tonë nga dukuritë natyrore. Pas frikës për veten, vinin gjithë të afërmit,
të cilët ishin të pamundur të kontaktoheshin. Por sa më shumë kohë kalonte, aq më e
largët dukej gjithçka që ndodhi, sa ndonjëherë dyshonim nëse kishte ndodhur vërtet
vallë apo jo!
Gjithçka po shkonte mirë le të themi. Ishim të lumtur që kishim shpëtuar pa patur
probleme fizike. Paksa të traumatizar prej atyre 50 sekondave që kaluam dhe të cilat
u dukën si një pafundësi, por përsëri në gjendje për të mbajtur moralin lart. Kjo ishte
situata deri në momentin kur stacionet e lajmeve përmendën viktima. Po! Viktima!
Ai ishte momenti që edhe pse mund të mos i njihje personat në fjalë, shpirti të
dridhej sikur të kishin qenë familjarët e tu. Çdo mendim mund të të vinte në ato
momente. Vallë a mund të kisha qënë unë në vend të tyre, e ndoshta jo unë dikush
shum i dashur për mua? E kjo ndjesi të vriste shumë e më shumë.
Por sa më tepër rrije ulur duke ndjekur lajmet, informoheshe me më shumë ndodhi
të padëshiruara. Kishte njerëz që humbën banesat, vendin ku ndiheshin të sigurt, e
ngelën ndoshta në mes të katër rrugëve. E teksa orët kalonin dhe viktimat
shtoheshin, na shoqëronte ndonjë dridhje e tokës tek-tuk, për të na kujtuar se asgjë
s’kishte përfunduar. Në ato ditë të ftohta nëntori, nuk gjenim ngrohje në shtëpinë
tonë, por në mjediset e jashtme publike. Është e habitshme se si njeriu ndryshon kaq
shpejt, duke filluar të ketë frikë aty ku ndoshta gjente sigurinë absolute.
Në ato ditë të vështira, çdo person që kishte mundësi, u mblodhën së bashku për të
ndihmuar personat që ishin në nevojë. Gjithashtu edhe shkolla jonë. Të gjithë
nxënësit kontribuan sado pak me ndihma të ndyshme, të cilat do të ndihmonin
personat e prekur nga tërmeti.
Edhe pse ka kaluar një vit nga tërmeti, akoma në kujtesën tonë ka ngelur si një prej
ditëve më tragjike. Por edhe pse tërmeti ishte mjaft i fortë dhe shkaktoi shumë dëme
si materiale dhe në jetë njerëzish, bashkimi dhe uniteti jonë ishte më i fortë se
gjithçka që ai tërmet la pas, dhe të gjithë së bashku ia dolëm t’i bënim ballë kësaj
katastrofe natyrore.