“E bekuar është festa që bashkon të gjithë botën në një komplot të dashurisë!”

E filluam vitin gjithë dëshira e ëndrra, plot shpresë për të ardhmen që na priste përpara për vitin e ri. Shumë kishin pritshmëri për këtë vit; shumë u munduan t’i realizonin që në fillim të vitit ose shumë i kishin në plan për një mundësi më të mirë. Por çdo plan u shkatërrua. Shumë ëndrra u ndërprenë për t’u realizuar në një moment të dytë. Shumë u prenë përgjithmonë, duke mbetur përgjysëm, apo pa u nisur kurrë në rrugëtimin e gjatë të plotësimit të tyre. Çdo gjë u ndalua papritur, sikur koha të ishte ndalur në vend, por vetëm ora e dhimbjeve vazhdonte të punonte. Gjithçka u përmbys, por vetëm shpresa nuk u zhduk nga zemrat e çdo personi në këto çaste të zymta. Frika na dërgoi disa hapa mbrapa ndërsa dhimbja, me dhjetëra mbrapa. Dikush humbi ëndrrat, dikush humbi shpresën dhe shumë humbën njerëzit e dashur. Por kurrë nuk u dorëzuam! U ngritëm sërish në këmbë. Mësuam të ecnim sërish, pavarësisht ndryshimeve në jetën tonë. Vazhduam jetën me shpresë për më mirë. Sa më shumë afrohen festat e fundvitit, aq më shumë na shtohen shpresat se gjithçka do të bëhet më mirë. I ndezëm përsëri dritat e pemës, bashkë me shpirtin festiv që ishte gjithmonë aty dhe nuk na braktisi kurrë. Magjia e kësaj feste na mbushi sërish shpirtin, mendjen dhe zemrën plot lumturi e jetë. Çdo shtëpi, rrugë e qytet ndrit nga dritat vezulluese e ngushëlluese që të falin ngrohtësi shpirtërore dhe paqe në mendje. Kjo festë simbolizon se jeta vazhdon sado me dhimbje. Është një mesazh për ne: Mos u dorëzo kurrë! Pranë ngrohtësisë së familjes, në prani të pemës e dritave të pemës, çdokush bëhet fëmijë sërish. Gëzon e lumturon për kapërcimin e këtyre peripecive me familjen në krah. Shumë bëhen nostalgjikë për festat përpara kësaj beteje, si ato kaloheshin plot me zhurma në shtëpitë e tyre, si dhe me zhurmat e qytetit apo me zhurmat e fëmijëve, të cilët këndonin e luanin njëri me tjetrin. Këtë festë do ta festojmë krejt ndryshe nga çfarë ishim mësuar. Edhe pse do të festojmë të ndarë, pa përqafime, pa shumë të pranishëm fizikisht por me kujtimet e tyre në mendjet tona, ne sërish do të festojmë me shpirtin të mbushur plot.

Recommended Articles