-Mund të prezantohesh?

Unë quhem Ejona Tahiri. Jam ish nxënëse e “Harry Fultz”, por gjithashtu edhe ish kryeredaktore e gazetës Laboremus. Tashmë vazhdoj studimet e larta në New Jersey për degën e financës.

-Si ishte përvoja jote në “Fultz”, dhe çfarë ke marrë me vete prej saj?

Përvojën time në “Fultz” mund ta përshkruaj si të veçantë, ndoshta aspak siç e prisja. Mund të them që gjimnazi nuk është aspak si nëpër filma. Kam qeshur, kam qarë, kam krijuar shoqeri të re. Ndoshta thjesht kam qënë me fat, por klasa ime ishte një nga ato klasa që do të mbahet mend në historinë e Harry Fultzit. Jo vetëm që ia kalonim bukur me njëri tjetrin, por gjithashtu frekuentonim çdo veprimtari shkollore dhe për këtë besoj se flasin vetë artikujt e gazetës dhe fotot e ndryshme që publikoheshin në faqen zyrtare të “Harry Fultz”. Veprimtaritë e ndryshme më shtynë të krijoja shoqëri edhe përtej mureve të klasës. Ngritja në detyrë si kryeredaktore më përmirësoi aftësitë e lideres dhe më mësoi të menaxhoj kohën edhe më mirë. Besoj se nga e gjithë kjo kam fituar një shoqëri të fortë dhe ndoshta më shumë besim në vetvete.

-Si vazhdon jeta pas “Fultz”-it?

Nuk është dhe aq entuziazmuese, por kjo ndoshta edhe për vetë faktin se ndodhemi në një situatë të vështirë të krijuar nga COVID-19. Vitin e parë të universitetit, për fat të keq, duhet ta frekuentoja virtualisht. Megjithatë, shpresoj që vitin tjetër të kem një përvojë më të plotë nga universiteti.

-Për çfarë të merr më shumë malli tani që je larguar?

As vetë nuk e di si t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Më merr malli për gjithçka. Ato vite kaluan shumë shpejt dhe gjithçka e mora për të mirëqenë. Ndoshta nuk i kam vlerësuar gjërat aq sa duhet. Nga Fultzi, mund të them me plot bindje, që më se shumti më merr malli për përkushtimin e stafit pedagogjik, dhe për mënyrën se si ata mundoheshin ta bënin mësimin sa më interesant, duke përfshirë veprumtari të ndryshme përgjatë vitit. Patjetër, më merr malli edhe për shoqërinë, por me shumicën e tyre akoma i mbaj lidhjet dhe komunikojmë shpesh. Së fundmi, më merr malli për pozicionin si kryeredaktore. Ajo ishte një përgjegjësi që më afronte edhe më shumë me nxënësit e viteve të ndryshme si dhe me stafin pedagogjik. Edhe pse nuk jam më pjesë e shkollës “Harry Fultz” apo pjesë e gazetës “Laboremus”, unë akoma vazhdoj ta ndjek gazetën çdo muaj dhe jam e bindur që ketë detyrë e kam lënë në duar të sigurta. –

-Si ka qenë përvoja jote si kryeredaktore e gazetës?

Si kryeredaktore e gazetës “Laboremus” ka qenë një nga përvojat më të bukura që kam kaluar gjatë gjithë viteve të gjimnazit. Stafi im ishte gjithmonë mirëkuptues dhe tepër të sigurt në atë që merrnin përsipër për të përfunduar. Kjo sigurisht që më ka lehtësuar shumë punën. Ka patur momente që rrija deri vonë zgjuar për të edituar artikuj, por në përgjithësi ia kam kaluar bukur. Një anë tepër pozitive e kësaj përvoje është sigurisht fakti që kam mësuar shumë nga artikujt e nxënësve.

-Si të ka ndihmuar studimi në “Fultz” për vazhdimësinë e studimeve jashtë Shqipërisë?

Studimi në Harry Fultz më ka ndihmuar shumë, pasi viti i parë i univeristetit ishte në përgjithësi një lloj përsëritjeje e diturive që mora në gjimnaz. Tema që nxënësit e tjerë po i merrnin për herë të parë, unë i kisha mësuar që në Harry Fultz.

-Çfarë këshillë do t’i jepje një nxënësi që sapo ka filluar studimet?

Nëse je një nxënës apo nxënëse që sapo ke filluar studimet në “Fultz”, do të të këshilloja t’i kushtojë rëndësi jo vetëm mësimeve por edhe veprimtarive. Mua personalisht më kanë hyrë shumë në punë certifikatat e shumta nga “Harry Fultz”-i për të aplikuar dhe për t’u pranuar në universitete shumë të mira. Sigurisht, do të të sugjeroja të bëhesh pjesë e stafit të gazetës “Laboremus” pasi do të përfitosh shumë nga kjo përvojë. Mundohu të jesh sa më aktiv apo aktive gjatë viteve të gjimnazit sepse këto përvoja do të të ndihmojnë për vitet në vijim. Dhe së fundmi, mos u streso. Unë kam qenë vetë një nga ato nxënëset që stresohesha shumë përpara çdo provimi apo veprimtarie të rëndësishëme. E vetmja këshillë që mund të të jap është të japësh maksimumin tënd dhe të kesh besim në vetvete.

-Po dikujt që po i mbaron?

Nëse je dikush që po mbaron studimet në “Harry Fultz,” shpresoj që t’i kesh shijuar në maksimum këto 3 apo 4 vite. Nuk je akoma vonë të marrësh pjesë në veprimtari që organizohen në “Fultz” gjatë këtyre muajve dhe të mbledhësh disa certifikata të tjera që do të të vlejnë në universitet. Mos u nervozo për provimet e maturës. Je lodhur mjaftueshëm gjatë këtyre viteve dhe ke mësuar gjithçka që të duhet për t’i përfunduar këto provime me rezultate të shkëlqyera. Së fundmi, mundohu ta mbash shoqërinë e gjimnazit edhe pasi të largohesh nga “Harry Fultz”-i.

Recommended Articles