Klasa 4-8 në bashkëpunim me mesueset e departamentit të biznesit Vjollca Latifi, Martineta Leka, Mirela Canaj dhe Meri Çeklijeji; krijuan një pyetësor për nxënësit e të gjitha viteve mbi mbarëvajtjen e mësimit online gjatë kësaj periudhe të vështirë pandemie. Kjo veprimtari u organizua në mënyrë që nxënësit të shprehnin në mënyrë anonime mendimet e tyre kundrejt mësimit online dhe mësimit të alternuar, të cilin shkolla jonë ka zgjedhur të kryejë. Ky pyetësor u shpërnda në këshillin studentor, e më pas në çdo klasë, duke u plotësuar nga një total prej 687 nxënës. Nxënëset Merita Hima dhe Redina Zeneli prezantuan në bibliotekën e shkollës, para klasës 3-8, analizën e këtij pyetësori. Të dhënat u paraqitën me anë të skemave grafike, shifrave, përqindjeve dhe u analizuan me anë të programit “Google Sheets”. Gjatë prezantimit, nxënëset iu përgjigjen pyetjeve që nxënësit e klasës 3-8 bënë. Mësimi në shkollë ishte mënyra më e pëlqyer për të vazhduar mësimin nga nxënësit, ndërkohë problemi më i përmendur gjatë mësimit online është ai i cilësisë së ulët të kamerave dhe mikrofonave. Nxënësit sugjeruan që mësueset të pajisen me mikrofona të lëvizshëm në mënyrë që të dëgjonin më mirë shpjegimin. Të dhënat, pakënaqësitë si edhe sugjerimet që nxënësit shprehën për mësimin online u dërguan në drejtorinë e shkollës, e cila do shqyrtojë çdo mendim të shprehur nga nxënësit.