Industria wireless ka revolucionarizuar mënyrën se si ne punojmë, prandaj nuk është çudi pse gjenerata e pestë e telekomunikimit (5G) tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Tashmë në disa qytete, dhe së shpejti në të gjithë botën, shpejtësia e transmetimit e fibrave optike do të arrijë në të gjitha xhepat tanë, duke sjellë televizione, imazhe 3D dhe aplikacione të reja të avancuara që nuk i kemi ëndërruar kurrë në pajisjet tona elektronike. Shumica prej nesh ende po përpiqet të kuptojë standardin e ri të komunikimit “pa tel” të njohur si 5G, por edhe pse rrjetet 5G nuk janë ndërtuar plotësisht akoma, kompanitë wireless tashmë kanë filluar të shikojnë përpara dhe të mendojnë për rrjetin tjetër të komunikimit celular që do të vijë, 6G. 6G është gjenerata e gjashtë e teknologjisë wireless. Ai vijon nga 4G dhe 5G, duke u mbështetur në infrastrukturën e rinovuar dhe kapacitetin e përparuar që aktualisht po vendoset në rrjetet 5G. Përdorimi i brezave të radios me frekuencë më të lartë, do t’u japë rrjeteve shpejtësi shumë herë më të madhe dhe me vonesa më të ulëta, të afta të mbështesin pajisje dhe sisteme të sofistikuara mobile si makinat e automatizuara. Realisht, 6G nuk ekziston akoma, por studiuesit e telekomunikacionit mendojnë një sërë mundësish mbi kapacitetin e madh që mund të mbartë kjo gjeneratë. Dr. Majer Shirvanimogadam (Dr. Mahyar Shirvanimoghaddam), një ekspert në teknologjinë wireless në Universitetin e Sidneit, vlerësoi në një intervistë me Kompaninë Austrialiane të Trasmetimit se rrjetet 6G një ditë mund të na lejojnë të arrijmë shpejtësinë maksimale të një Terabyte në sekondë në një pajisje të lidhur me internet. Kjo shpejtësi është një mijë herë më e madhe se 1 Gbps, shpejtësia më e madhe e disponueshme në shumicën e rrjeteve të internetit nëpër shtëpi sot, dhe është 100 herë më e shpejtë se 10 Gbps, shpejtësia maksimale hipotetike e 5G. Makinat dhe dronët e automatizuar, fabrikat me telekomandë dhe përdorime të tjera të inteligjencës artificiale (AI) kanë marrë shumë diskutime mes rritjes së 5G. Ardhja e 6G pritet ta bëjë pikërisht këtë, edhe më shumë, dhe disa ekspertë mendojnë se do të kërkohet inteligjenca artificiale për ta mbajtur 6G-në të gjithën të koordinuar dhe mirë-funksionuar. Razvan-Andrei Stoica dhe Xhuzepe Ebrju (Giuseppe Abreu), dy studiues në Universitetin “Jacobs” në Bremen, Gjermani, thanë se 6G mund të mbështetet te “AI bashkëpunuese” për të ndihmuar makinat që “drejtojnë vetveten” (të automatizuara) të komunikojnë me njëri-tjetrin, të maten nga këmbësorët dhe trafiku dhe të përcaktojnë rrugët më të mira gjatë udhëtimeve. Për një variant tjetër të 6G, Roberto Saroko (Roberto Saracco) në Institutin Evropian të Inovacionit dhe Teknologjisë, sugjeroi që gjëra të tilla si AI mund të ndihmojnë vetë pajisjet të bëhen antena të rrjetit, duke mbajtur lidhjen tuaj të rrjetit përgjatë zhvendosjes së përdoruesve dhe pajisjeve të tyre. Duket si gjithmonë që zhvillimi teknologjik nuk e ndal nxitimin që ka arritur. Edhe përse 6G është akoma e mbetur në teoritë e shkenctarëve dhe studiuesve, ka shumë interes për rrjetet dhe teknologjinë e saj, dhe kjo tregon entuziazmin për idetë e mëdha që kanë shumë ekspertë për mënyrën se si interneti mund të evoluojë në vitet e ardhshme, duke bërë një ndikim të madh të mundshëm në mënyrën se si ne komunikojmë, punojmë dhe vazhdojmë jetën tonë.