Nëse mendojmë për Japoninë në stinën e bukur të pranverës, çfarë na vjen ndërmend është pamja e magjishme e luleve të qershisë së famshme në këtë vend, ose ndryshe të njohura me emrin “Sakura”. Ngjyra e këtyre luleve është e bardhë me rozë. Këto lule pushtojnë qytete të tëra si dhe male, duke mbuluar me petalet e tyre rrugët e qyteteve, e duke ofruar kështu një spektakël për qytetarët.
Lulet e qershisë arrijnë kulmin e lulëzimit vetëm për disa ditë, por këtë vit sezoni i lulëzimit të tyre ka ardhur shumë më shpejt, si dhe ka zgjatur shumë pak. Shkencëtarët e lidhin këtë fenomen me krizën ekologjike, e cila ka mbërthyer të gjithë planetin. Studiuesi Yasuyuki Aono ka mbledhur një sërë informacionesh nga dokumenta dhe ditare historike, dhe ka dalë në përfundimin se në qytetin e Kyoto, lulet e qershisë kanë çelur më 26 Mars, data më e herët në 1200 vite, dhe në kryqeytetin e Tokyo, ato lulëzuan plotësisht në datën 22 Mars; hera e dytë e çeljes së herët të luleve të qershisë në histori.
“Teksa temperaturat rriten, pranvera troket më herët, duke bërë kështu që lulet të çelin më herët,” tha Dr. Lewis Ziska, nga Universiteti i Shkencave të Shëndetit Mjedisor të Columbia.
Çelja e luleve ndryshon nga viti në vit nga një sërë faktorësh, por ato kanë treguar një trend të çeljes së hershme, çdo vit e më herët. Në qytetin e Kyoto, periudha e lulëzimit ka qenë rreth mesit të Prillit, por nisën të çelnin më herët përgjatë viteve 1800. Data e lulëzimit të luleve të qershisë ka zbritur në fund të Marsit vetëm disa herë në histori.
“Lulet e “Sakurës” janë shumë të ndjeshme ndaj ndryshimit të temperaturave,” tha Aono për CNN. “Lulëzimi apo çelja e herët mund të ndodhë herët apo vonë në varësi të temperaturave. Temperaturat kanë qenë të ulëta përgjatë shekullit të 19, por janë rritur me rreth 3.5 gradë celsius deri më sot,” shtoi ai.
Lulëzimi i hershëm i luleve të qershisë është vetëm maja e ajsbergut të një krize mjedisore, impakti i së cilës do të ndikojë ekosistemet si dhe sistemet ekonomike të vendeve. Ky fenomen, në Japoni shërben si një tjetër këmbanë alarmi për njerëzimin, në lidhje me ngrohjen globale.