Dita Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës Ndaj Gruas

25 Nëntori është data e caktuar nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara si “Dita
Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës ndaj Gruas”. Në këtë datë nis edhe fushata 16-
ditore, e njohur si "16 Ditë Aktivizim Kundër Dhunës me Bazë Gjinore", që përfundon në 10
Dhjetor, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Dhunë kundrejt femrave,
konsiderohet çfardolloj akti i bazuar mbi ndryshimet gjinore, që sjell si rezultat dëme verbale
apo fizike. Kjo lloj dhunë vjen në mënyra të ndryshme, duke nisur që nga ngacmimi më i
lehtë e deri te torturat e vazhdueshme që çojnë deri në marrje jete.
Ndonëse ky fenomen është rralluar përgjatë viteve, ka akoma raste që tregojnë se prezenca e
tij përbën shqetësim për sigurinë e jetës së femrave në të gjithë botën. Faktet vërtetojnë se 1
në 3 gra dhe vajza përjetojnë dhunë fizike ose verbale të paktën një herë gjatë jetës së tyre,
kryesisht nga vet partneri i tyre. Gjithashtu, 1 në 2 gra kanë humbur jetën për shkak të
partnerit, ndërsa vetëm 1 në 20 burra kanë humbur jetën nga rrethana të ngjashme. 71% e të
gjitha viktimave të trafikimit njerëzor në botë janë femra dhe shfrytëzimi që u bëhet atyre
është tragjik. Gjithë këto statistika nuk tregojnë thjesht numra por thirrje për ndihmë nga
gra e vajza që janë të pafuqishme për të luftuar të vetme.
Viti 2020 shënon 20-vjetorin e Deklaratës së Pekinit. Deklarata e Pekinit ishte një nga
projektet më progresive të ndërmarra ndonjëherë për avancimin e të drejtave të grave. Edhe
viti ku jetojmë aktualisht, konsiderohet si viti i përpjekjeve më të mëdha globale, për të
parandaluar e për t'i dhënë fund dhunës ndaj femrës. Përpos këtyre, në shtator të këtij viti
hyjnë në fuqi Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, si një kornizë e re e zhvillimit botëror.
Në “Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Femrës”, institucione dhe organizata të
ndryshme, solidarizohen për t'i dhënë fund këtij problemi. Ambasada Amerikane ishte një
prej tyre. Në një postim për rrjetet sociale, u tregua se emblema e Ambasadës së Shteteve të
Bashkuara kishte ngjyrë portokalli (Portokallia është e njohur si ngjyra zyrtare e fushatës
dhe simbolizon një të ardhme më të mirë dhe një botë të lirë nga dhuna ndaj grave dhe
vajzave.), për të rikonfirmuar angazhimin e tyre ndaj përparimit të barazisë gjinore dhe
dhënies fund të dhunës ndaj grave. Ata gjithashtu u bënë thirrje partnerëve të tyre në qeveri,
sektorit privat dhe shoqërisë civile për një bashkpunim të menjëhershëm për të eleminuar
këtë problem në shoqërinë shqiptare.
Gjithashtu një tjetër organizatë që dha kontributin e saj ishte Organizata Botërore e
Shëndetit. Ajo shtoi në website-in zyrtar një faqe ku mundësohet raportim i dhunës me bazë
gjinore nga viktima, një dëshmitar i jashtëm apo edhe nga nga vetë personi që ndihet sikur
përbën kërcënim në familje. Përpos këtyre, janë vendosur edhe këshilla për mënyrën se si
duhet të sillet një individ që është viktimë e dhunës me bazë gjinore deri sa problemi të arrij
tek autoritetet përkatëse. Sigurisht që përfshihet edhe një pjesë informimi mbi dhunën ndaj
gruas dhe ndikimin që ka pasur Covid-19 në këtë fenomen.
Institituti i Shëndetit Publik (ISHP) në Shqipëri, u kërkoi të gjithëve që të përhapin ngjyrën
portokalli jo vetëm në 26 Nëntor por gjatë të gjithë 16-ditëve të fushatës. Megjithatë,
personalisht mendoj se problemi i përmendur nuk mjafton të trajtohet as për 1 e as për 16
ditë, por gjatë 365 ditëve të vitit. Vetëm kështu do të arrihen rezultate efektive. Nuk mund të
arrijmë një shoqëri ideale kur kemi mohim të drejtash në mënyrë kaq publike. Pra, barazia
gjinore, nuk është pozitive vetëm për femrat por për të gjithë shoqërinë.

Recommended Articles