Tremujori i këtij viti shkollor po mbaron. Jemi në prag festash dhe të gjithë gëzojmë nga pak, edhe pse ky fundvit do të jetë ndryshe. Për shkak të kësaj sëmundjeje që po i merr jetën pa mëshirë të rinjve e të moshuarve, bota nuk do të ndiejë festimet si dikur, kur Krishtlindja e kishte emrin “dashuri”, kur bashkonte të madh e të vogël brenda gjirit të familjeve, kur nëpër rrugët që rrëzëllinin nga dritat dëgjohej kori i fëmijëve të mbledhur duke kënduar “Haleluja”. Këtë vit, vendet e mëdha si Gjermania, Italia e shumë si këto, do të kthehen në zona të kuqe; do të lëvizet vetëm nëpërmjet autorizimeve për arsye pune, shëndeti apo domosdoshmërie të çdo lloji. Dyqanet nuk do të jenë të hapura në orët e vona, përveç ushqimoreve, farmacive, e pak të tjera. Restorantet nuk do të jenë të hapura në orët e vona kur më përpara pritej Krishtlindja, kur njerëzit uronin duke trokitur gotat e duke dëshiruar për vitin që do të vinte më pas, të ishte sa më i begatë e sa më i mbarë. Por ky vit, i cili ishte krejt ndryshe, ku gjithë bota u zotërua nga paniku, ku e ardhmja trembte këdo, kur e pamë veten të bashkonim duart drejt qiellit e të luteshim që të afërmit tanë, ata që u prekën nga sëmundja, t’ia dilnin e të mos largoheshin nga kjo botë pa i thënë lamtumirë… ky vit të mbetet pas e mos të rikthehet më. Vigjilja e Krishtlindjeve! Qyteti ynë është zbukuruar, si më parë, me drita e dekore. Këto festa do na sjellin atmosferën e një “rilindjeje”, sepse kur Krishti lindi nisi një epokë e Re. Dhe, në të vërtetë, ajo çka ne dëshirojmë në këtë festë është që “drita e kandelave” të na hapë udhën e një fillimi të ri. Viti i Ri të na kthejë lumturinë midis nesh, të na i afrojë familjarët tanë, të mëdhenj e të vegjël, rreth tryezave tona e kur të kthejmë dollitë… me mendje të shprehim dëshirat (Babagjyshi, do të ketë punë për t’i bërë ato të realizohen). Shpresoj… shpresojmë shumë që sfidat e këtij viti të mbrapshtë të mbeten pas e le të kemi të tjera, po nga ato që na bëjnë të ecim përpara e të shohim të ardhmen në sy.