Vitit 2020 më në fund po i vjen fundi. Ky vit dukej të ishte i gjatë dhe shumë i vështirë në të gjithë botën. Nisi me zjarrin masiv në Australi dhe pasoi me shumë ndodhi fatkeqe të tjera ku mund të përmendim kryengritjet e protestuesve të Amerikës, shpërthimin e papritur në Beirut si edhe pandeminë, Covid-19, që vazhdon të ketë ndikim në përditshmërinë tonë. Ndonëse erdhi e papritur, njerëzit arritën të përshtateshin me normalen e re. Praktikimi i distancimit social, mbajtja e maskave dhe përdorimi i dezinfektantit, konsiderohen tanimë si diçka normale dhe deri diku, e detyrueshme. Përjashtim kanë bërë ditët e festave ku njerëzit zgjedhin t’i shkelin këto rregulla. Dita e Falenderimeve në Amerikë shënoi një rritje të lartë të numrit të të infektuarve. Kjo tregoi se institucionet duhet të rrisnin ndërgjegjësimin e qytetarëve për festat që na presin, Krishtlindjen dhe Vitin e Ri. Pushimet janë zakonisht një kohë për të përqafuar familjen, miqtë dhe të dashurit tanë, shpesh duke kaluar orë të tëra duke festuar, kënduar, vallëzuar dhe duke shijuar darkën e mbushur plot me ushqime. Megjithatë, gjatë pandemisë, të gjitha këto aktivitete mbartin një rrezik tepër të lartë. Siç përmenda edhe më sipër, festimet tradicionale të natës së Vitit të Ri, konsiderohen të jenë faktorë negativë për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Duke ditur që COVID-19 shpërndahet nëpërmjet ajrit, shqetësim të madh përbën fakti se shumica e organizimeve të festave të fundvitit bëhen në mjedise të brendshme të cilat sjellin grumbullime njerëzish. Një raport i ri i botuar në gazetën Koreane të mjeksisë, këtë muaj, sugjeroi që darkat në restorante të minimizohen sa më shumë të jetë e mundur, por nëse kjo nuk ndodh, ato të mundësohen vetëm jashtë dhe me ruajtjen e një distance prej rreth 2 metër mes tavolinave. Faktet kanë treguar se në mjediset e brendshme, edhe nëse njerëzit qendrojnë 6 metër larg njëri-tjetrit, virusi përsëri mund të qarkullojë dhe të infektojë personat që janë prezent në të. Nuk kërkohet që të mos ketë lumturi e shpresë. Kërkohet thjesht që këtë vit, Viti i Ri të pritet ndryshe. Nuk mund të injorohet prezenca e virusit sepse do të jemi po ne ata që do t’i vuajmë pasojat. Në vend të mbledhjeve familjare apo festimeve me muzikë të lartë mes miqsh, mund të organizojmë një darkë me 2-3 personat që takohemi më shpesh e të gëzojmë së bashku. Në fund të fundit, kështu do të reduktohen edhe shpenzimet për ushqime e pije. Fatkeqësisht, duket se kufizimet janë vendosur për të mbrojtur vetë ata që kërkojnë t’i shkelin këto rregulla. Ato synojnë një normalizim sa më të shpejtë të gjendjes. Duhet të tregohemi të ndërgjegjshëm këtë vit që t’i rikthehemi festimeve tradicionale më vonë. Megjithatë, shpresoj shumë që fatkeqësistë e 2020 të mos kenë ndikuar asnjë prej jush si edhe ju uroj të kaloni sa më mirë këtë periudhë. Le të shpresojmë që 2021 të jetë një fillim i mbarë për të gjithë dhe që gjërat të vijnë duke u përmirësuar. GËZUAR FESTAT!!