Dhjetori është muaji më i bukur i vitit sipas shumë studimeve. Jo vetëm se pas shumë kohësh ti mund të shohësh përtej dritares borën që bie, teksa je në shtëpi duke pirë një gotë verë, por dhe atmosfera festive i bën njerëzit të jetojnë një gëzim të përhershëm. Krishtlindjet dhe Viti i Ri përfshijnë familjet apo këdo në mendime se si duhen kaluar sa më mirë. Pema e Krishtlindjeve është një tjetër gëzim i këtij muaji. Zbukurimi i saj është një ngjarje e bukur jo vetëm për fëmijët. Dhuratat janë një tjetër element që e bën dhjetorin një muaj të vecantë. Të zgjedhësh një dhuratë për njeriun e zemrës nuk është e lehtë. Gatimet janë një tjetër element që e bëjnë këtë muaj të dashur. Sa shumë ëmbëlsira apo gatime të tjera projektohen në mendjen e amvisave. Por, dhjetori është edhe muaji i reflektimit të një viti që po lëmë pas. Ju mund të analizoni gabimet apo arritjet dhe të vendosni synimet e vitit që po vjen. Pa asnjë plan asgjë nuk arrihet. Por ndërsa kemi hyrë në këtë muaj, shijojeni sa më shumë gëzimin që ai ofron.