2020 është drejt fundit. Një vit intesiv, i cili filloi me një numër të lartë ngjarjesh të cilat kanë ndryshuar tërësisht mënyrën se si ne e shohim botën apo si ne jetojmë; një ndër to edhe pandemia e Covid-19. Ky virus u bë publik ditët e para të vitit 2020 dhe shumë shpejt arriti të mbërthente botën. Deri në ditën e sotme, numërohen mbi 76 milion të prekur dhe rreth 1.7 milion humbje jete, por në ditët e fundit të vitit, duket se shkenca ka përgatitur një surprizë të madhe për të gjithë ne… Disa javë më parë, në çdo gazetë ndërkombëtare sundonte një dhe vetëm një lajm: miratimi i vaksinës së Pfizer; një vaksinë e cila sipas një numri të lartë studimesh ka mbrojtje rreth 95%. Një ndër shtetet e para të cilat filluan përdorimin emergjent të vaksinës kundër Covid-19, ishte Anglia. Personi i parë i cili u vaksinua ishte 90-vjeçarja nga Anglia, moment i cili u quajt historik për pandeminë e Covid-19. Anglia duket se po merr hapa të mëdhenj drejt vaksinimit, pasi vetëm në 24 orë shteti Britanik ka vaksinuar një numër shumë të lartë qytetarësh. Mbrapa nuk mbetet as Amerika, e cila para disa ditësh arriti të miratojë gjithashtu vaksinën e kompanisë Moderna. Duket se ndryshe nga viti 2020, 2021 do të hyjë me lajme shumë shpresëdhënëse. Një numër i madh shtetesh presin dozat e para të vaksinës, një ndër to është edhe Shqipëria, e cila parashikon që dozat e para t’i ketë në 3 mujorin e parë të 2021. Duket qartë se nëpërmjet shkencës dhe investimeve të shumta për nxjerrjen e vaksinës për Covid-19, do të arrihet frenimi i kësaj pandemie e cila ka pushtuar botën. Vaksina duket se na jep shpresë të gjithëve se do të kthehemi në normalitet shumë shpejt. Një normalitet i cili na ka munguar për më tepër se një vit tashmë.

Recommended Articles