Festat e nëntorit të këtij viti shënuan 108 vite pavarësi për shtetin tonë të
vogël, por me kulturë dhe histori të pasur, të Ballkanit perëndimor.
Ndonëse jetojmë në një kohë jashtë normalitetit, kjo gjë nuk i ndaloi
shqiptarët që festën e pavarësisë ta kalonin sëbashku, edhe pse ndoshta jo
fizikisht…
Edhe pse nëntori këtë vit hyri me masa shtrënguese për Shqipërinë, në
kuadër të parandalimit të përhapjes së virusit Covid-19, shqiptarët gjetën
mënyra alternative për të shprehur gëzimin që këto festa sjellin për cilindo
shqiptar, brenda apo jashtë trojeve tona. Shumë qytetarë vendosën të
festonin duke shmangur grumbullimet, pra duke i kaluar këto festa me
familjarët e tyre. Shumë të tjerë vendosën të tregojnë patriotizmin e tyre në
kushtet e pandemisë duke postuar në rrjete sociale apo duke mbushur
ballkonet e shtëpive me flamujt kuq e zi. Shumë shqiptarë në Kosovë,
Maqedoni dhe në çdo shtet ku gjenden shqiptarë, kanë festuar festat e
Nëntorit me anë të koncerteve, ku mbizotëronte flamuri shqiptar apo
parada të mëdha ku binte në sy flamuri ynë i bukur.
Tërhoqi vëmendje shumë të madhe të mediave shqiptare, por jo vetëm,
veprimet e disa shteteve për urimin që i bën Shqipërisë, siç ishte rasti i
kullës më të lartë në botë, “Burj Khalifa" e ndodhur në Dubai. Ajo u “vesh”
kuq e zi, kështu duke uruar Shqipërinë në një mënyrë tejet të veçantë.
Pas kullës më të lartë në botë, ura e famshme e Stambollit u vesh kuq e zi.
Me rastin e 28 Nëntorit, festës së pavarësisë, ura e Bosforit u ndriçua me
drita, me ngjyrat tona karakteristike. Gjithashtu nuk munguan urimet e
shumta të shqiptarëve, të cilët na përfaqësojnë denjësisht nëpër botë me
talentin e tyre të jashtëzakonshëm, siç ishin urime nga këngëtaret më famë
ndërkombëtare: Dua Lipa, Bebe Rexha, Rita Ora, Ava Max e shumë të tjera.
Pavarësisht kushteve jo të favorshme, shqiptarët kurresesi nuk do ndalojnë
së festuari festat e 28 dhe 29 Nëntorit dhe ndonëse duhet shprehur çdo
ditë: Ne jemi krenarë që jemi Shqiptar!!