“Jeta është mister. Zbuloje! Jeta është premtim. Mbaje! Jeta është trishtim. Kaloje! Jeta
është himn. Këndoje! Jeta është jetë. Mbroje!” (Shën Nënë Tereza)
Me keto shprehje të Nënë Terezës nisi aktiviteti i realizuar nga departamenti i lëndëve
shoqërore dhe klubit të letërsisë. Një aktivitet i drejtuar nga zysh Suela, i realizuar mjaft
bukur dhe i mbushur me emocione e dashuri, si mund të ndodhte ndryshe kur aktiviteti ishte
mbi Nënë Terezën, një figurë që bën çdo Shqipëtar të ndihet krenar. Ky aktivitet vjen nga
bashkëpunimi i departamentit të lëndëve shoqërore, klubit të letërsisë, zysh Suelës si edhe te
nxënësve pjesëmarrës të cilit ishin: Izabela Prasta, Geri Meçi, Anabela Baliko, Jormisa Sefa,
Martina Karalliu si edhe nxënësi Bajram Xhafa.
Edhe pa i lënë fjalët e saj të bekuara si filozofi jetësore, do të kishte mjaftuar jeta e saj e
vërtetë si mesazh për ne. Por kur sheh sesi brezi i ri përditëson në veprimtarinë e tij
altruizmin, dhe kjo nuk është fort e lehtë në botën tonë, të mbushet zemra me dritë. Në
“Harry Fultz” nuk është e para herë që flasim për Nënën e Madhe. Shembullin e saj nxënësit
tanë e kanë përjetësuar në veprimtaritë e tyre, jo vetëm mësimore, por edhe duke ndihmuar
në komunitet. Projektet e tyre realizuar në lëndët e Historisë e të Gjeografisë u shfaqën në
ekranin e bibliotekës për të njohur edhe të tjerët me jetën e veprën e shenjtores. Mesazhin
“Bëni gjëra të vogla, por me dashuri të madhe” e dhanë përmes projektit të bamirësisë. Prej
një muaji nxënësit kanë shprehur përshtypjet e tyre lidhur me figurën e Nënë Terezës dhe i
paraqitën në formë krijimi, eseje a poezie në konkursin e lëndës së Letërsisë. Këto janë
fragmente nga punimet më të mira të cilat u vlerësuan me çmime.
Nënë Tereza në sytë e fëmijëve:
Geri Meçi: “Ndokush mund të mendojë që ajo ka pasur ndonjë sekret për ‘mrekullitë’ që
bënte. Unë e kam zbuluar, madje në thëniet e saj: ‘Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë
në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, gjithnjë të kesh një buzëqeshje gazmore!’, ‘Nuk ka
rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të!’ Ja pra,
ky ka qenë sekreti i saj: një zemër e pastër, e përkushtuar, e dashur njeriu!”
Izabela Prasta (Fituese e vendit të tretë): “Të flas për Nënë Terezën, më bën të ndihem mirë,
krenare… portreti i saj më sjell ngrohtësi në shpirt… Ajo i dha ngjyrë të bukur botës!”
Anabela Baliko (Fituese e vendit të dytë): “Nënë Tereza la gjurmë të pashlyera në historinë e
shekullit kur jetoi. Ajo mbrojti gjithnjë, kudo e kurdo jetën dhe dinjitetin e çdo personi,
kryesisht të të varfërve. U dha atyre vetëdijen se nuk ishin të tepërt, se ishin të zgjedhur, si
gjithë të tjerët. Arriti t’u japë dashuri e mëshirë si engjëll i zbritur në tokë!”
Jormisa Sefa (Fituese e vendit të dytë): “Edhe pse vitet kaluan duke kërrusur trupin e saj të
vogël, ajo kurrë nuk reshti së punuari për njerëzimin, për t’u sjellë atyre ngushëllimin. Nënë
Tereza gjithmonë do të kujtohet brez pas brezi si një shenjtore dhe heroinë, me të cilën bota
do të njohë imazhin dhe vlerat e vërteta të njeriut.”
Martina Karalliu (Fituese e vendit të tretë): “Ka qenë një kohë në kopshtin tim,/kur çelnin
gonxhe të vogla pambarim./ Një gonxhe si të tjerat çeli një ditë,/ një gonxhe e vogël, e bukur,
plot dritë./ Bojën e saj të tjerave me mirësi,/ ua hidhte, ua ndante tërë përzemërsi./ Në
shumë vende gonxhen e dërgova./ Me lule indiane, afrikane e mundova./ Por ajo asnjëherë
nuk lodh,/ pa ankesë, të gjithë i ndihmonte tok./ Kurrë nuk do ta harrojmë gonxhen Nënë,/
atë që Dashurisë, emër i ka dhënë!”
Bajram Xhafa (Fitues i vendit të parë): “Nënë Tereza u fut në ndërgjegjen e botës pa shpikur
asgjë, pa udhëhequr asnjë vend, pa zbuluar zjarrin apo ligje të së vërtetës fizike… Ajo u fut në
dashurinë e botës me të vetmen gjë që kishte, me dashurinë e saj… Jetoi për të shtuar
buzëqeshjen në fytyrat e zbehta. Ajo i ngarkoi vetes një mision tepër të vështirë, atë të
ringjalljes së kufomave. Një mision në kufijt e absurdit… Nënë Tereza u kthye në “Engjëllin
Mbrojtës” të të varfërve, ku mjerimi ishte ulur këmbëkryq dhe këndonte çdo ditë refrenin e
vdekjes. Ajo u bë simbol i paqes dhe i mirësisë në tërë botën, tek shpërndante mirësi,
dhembshuri, dashuri pa kufi, bujari, shpresë për jetën… Shpirti i Nënë Terezës duhet të
udhëheqë edhe më tej vizionin tonë për një shoqëri të tolerancës, mirëkuptimit, respektit të
ndërsjellë dhe sodilarizimit pa dallim të përkatësisë sociale, etnike dhe kulturore!”
Tri janë virtytet hyjnore: Besimi, Shpresa, Dashuria, por më e madhja nga të tria është
Dashuria! Ashtu si thotë Bajrami në esenë e tij, pa dallim përkatësish, në “Harry Fultz” e
jetojmë çdo ditë të gjithë bashkë! Ky është mision i gjallë dhe ne e quajmë Jetë!